Laureatja e Çmimit Nobel për Paqen, Maria Corina Machado, paralajmëroi se qeveria e presidentit venezuelian Nicolas Maduro ndodhet “në ditët e saj të fundit”, gjatë një interviste të dhënë të premten për median kolumbiane RCN, nga Oslo.
Inxhinierja 58-vjeçare arriti të largohej fshehurazi nga Venezuela drejt kryeqytetit norvegjez, duke sfiduar një ndalim udhëtimi dhjetëvjeçar të vendosur nga autoritetet dhe pas më shumë se një viti qëndrimi në fshehtësi. Ajo nuk arriti të mbërrinte në kohë për ceremoninë e ndarjes së Çmimit Nobel të mërkurën, më 10 dhjetor, ku u përfaqësua nga vajza e saj.
Gjatë intervistës, Machado deklaroi se sundimi i Maduro-s po shkon drejt fundit dhe se kjo do të ndodhë “me ose pa negociata”.
Machado u ndalua të kandidonte në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, pavarësisht se fitoi bindshëm primaret e opozitës. Ajo u detyrua të fshihej këtë vit, pasi autoritetet zgjeruan arrestimet ndaj figurave opozitare pas zgjedhjeve të kontestuara.
Autoriteti zgjedhor dhe Gjykata e Lartë e Venezuelës shpallën Nicolas Maduro-n fitues të zgjedhjeve. Megjithatë, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe opozita pretendojnë se kandidati i tyre fitoi bindshëm, ndërsa opozita ka publikuar procesverbale nga kutitë e votimit si prova të fitores së saj./mxh
