Thomas Markle, babai i Meghan Markle, është nën hetim në Filipine pas dyshimeve për posedimin e materialeve që përmbajnë abuzim seksual me fëmijë, sipas një raportimi të gazetës britanike The Sun. Denoncimi është bërë nga djali i tij, Thomas Markle Jr., vëllai i Dukeshës së Sussex, i cili pretendon se ka zbuluar materiale të paligjshme në banesën e të atit në Cebu.
Sipas gazetës, Thomas Markle Jr. pretendon se ka gjetur katër kuti të mëdha që përmbanin qindra, e ndoshta mijëra, imazhe të abuzimit seksual me fëmijë. Ai ka deklaruar se mes materialeve kishte video që paraqisnin vajza 10 ose 11 vjeçe në akte seksuale, një video 15-minutëshe me vajza të zhveshura në celularin e vjetër të të atit, si dhe tri fotografi të tjera. Sipas pretendimeve të tij, njëra prej fotografive duket se është realizuar në ish-rezidencën e babait në Rosarito të Meksikës.
Thomas Markle Jr., 60 vjeç, tha për The Sun se e kishte denoncuar të atin 82-vjeçar në polici më 10 korrik. Ai gjithashtu pretendon se kishte njoftuar FBI-në, Qendrën Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar në SHBA, si dhe Policinë Shtetërore të Pensilvanisë, ku babai i tij kishte jetuar më parë.
“Kur e gjeta këtë material, u shokova. Nuk kisha zgjidhje tjetër veçse ta denoncoja babanë tim. E kam mbështetur, jam kujdesur për të dhe e kam ndihmuar për vite me radhë, por kjo mbaron këtu”, deklaroi ai.
Sipas të njëjtit raportim, Thomas Markle Jr. është kujdesur për të atin gjatë viteve të fundit, ndërsa ky i fundit është përballur me probleme serioze shëndetësore, përfshirë një goditje në tru në vitin 2022. Ai tha se nuk do të komunikojë më me të atin, përveç rastit kur t’i kërkohet të dëshmojë kundër tij.
“Nuk do t’i flas më kurrë babait tim, përveçse nëse më thërrasin të dëshmoj kundër tij”, u shpreh ai, duke shtuar se zbulimi e kishte lënë të tronditur dhe të zemëruar. Ai pretendoi se e kishte kuptuar menjëherë se bëhej fjalë për materiale të paligjshme dhe se duhej t’ua dorëzonte autoriteteve.
Sipas The Sun, FBI-ja ka konfirmuar marrjen e deklaratës së Thomas Markle Jr. dhe është e gatshme të nisë hetimet e saj. Një burim i cituar nga gazeta pretendoi se një agjent i FBI-së kishte kërkuar tashmë të dhënat e kontaktit të hetuesve që po merren me çështjen në Filipine.

Ndërkohë, sipas raportimit, hetuesit e Këshillit Ndëragjencior kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore në Filipine ia kanë kaluar çështjen një grupi të posaçëm pune, nën mbikëqyrjen e një qendre të specializuar për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve.
Deri në konfirmimin e pretendimeve nga autoritetet, akuzat ndaj Thomas Markle mbeten të pakonfirmuara publikisht./k.m
