Last Updated on 23/07/2026 by Anisa
Gjykata e Tiranës urdhëron lirimin e menjëhershëm të 34-vjeçares që u dërgua në burg me foshnjën, Dorina Sejdini.
Vendimi u dha nga Edvan Veçani, ndërsa në lidhje me rasti pati reagime të menjëhershme si nga Presidenti i vendit Barjam Begaj, ashtu dhe nga avokati i Popullit.
Dorina Sejdini u arrestua pak ditë më parë pasi hyri në Shqipëri nga pika kufitare e Muriqanit, teksa kthehej me familjen nga Gjermania. Sipas autoriteteve, ndaj saj ishte në fuqi një vendim i formës së prerë, që e dënonte me 2 muaj burg për veprën penale të dhunës në familje ndaj vjehrrit të saj.
34-vjeçarja u paraqit vullnetarisht në Komisariatin nr. 6, pasi u njoftua nga policia për ekzistencën e vendimit. Më pas u transferua në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë. Fillimisht foshnja mbeti jashtë institucionit, por një ditë më vonë iu dërgua nënës, pasi ajo ushtroi të drejtën e parashikuar në ligj për të mbajtur pranë fëmijën nën moshën 3 vjeç. Ndërkohë, dy fëmijët e tjerë të mitur 7 dhe 2 vjeç mbetën në kujdesin e familjarëve.
Në seancën e zhvilluar këtë të enjte, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, duke bërë të mundur lirimin e menjëhershëm të Dorina Sejdinit nga burgu. Çështja do të vijojë të shqyrtohet në rrugët ligjore për sa i përket vendimit penal të dhënë ndaj saj./ad
