Last Updated on 15/04/2026 by EL
Një ditë më parë, Tirana u përball me pamje të frikshme. Një nga pallatet e kompleksit “Arlis”, pranë Farmacia 10, në pronësi të biznesmenit Armand Lilo, u përfshi nga flakët e një zjarri të përmasave të mëdha.
Por sakrifica e shefit të shërbimit zjarrfikës, Jonuz Murataj, i cili u ngjit nëpër shkallë fare pranë flakëve për t’i shpëtuar jetën një gruaje, ka marrë vëmendjen kryesore.
Murataj, gjatë një interviste, ka zbuluar se e moshuara fillimisht ka refuzuar të zbresë dhe i ka thënë që ta lërë të digjet brenda banesës. Por ishte këmbëngulja e tij që bëri të mundur që ajo të zbresë nga apartamenti i saj në katin e pestë.
“Më tha lërmë këtu që të digjem në shtëpi. Në atë moment i hodha dorën në qafë dhe i thashë hajde, se ne do ta shuajmë flakën brenda shtëpisë dhe ajo do të jetë sërish funksionale për ju”, tha ai.
Po ashtu, zjarrfikësi ka deklaruar se është telefonuar nga vajza e së moshuarës. Në momentin që është ngjitur, ai e ka gjetur gruan të asfiksuar, e cila sipas tij vuan nga probleme me zemrën.
“Më mori e bija në telefon dhe më tha se ka nënën në katin e pestë brenda. Isha i detyruar të ngjitesha. E gjeta zonjën brenda, e cila ishte e asfiksuar dhe shumë e tmerruar. Kur i thashë hajde të lëvizim nga këtej, ajo hezitonte, pasi ka probleme mjekësore me zemrën”, tha ai.
Më tej, ai shton se i ka vendosur kokoren gruas, pasi nga lart binin objekte metalike, dhe se ajo nuk ishte e specializuar për të ecur në shkallët e zjarrfikëses.
“Kokoren ia vendosa pasi nga lartësia kishte rënie objektesh metalike. Për më tepër, gjatë evakuimit me shkallë, banori nuk është i specializuar, kështu që isha i detyruar t’ia vendosja kokoren dhe ta zbrisja shëndoshë e mirë deri tek ambulanca. Kam marrë vesh që zonja është mirë me shëndet”, përfundoi ai./et
