Një 23-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, i dyshuar për mbajtje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, pas një operacioni të zhvilluar nga Policia e Genovas.
Efektivët konstatuan shkëmbimin e një pakete me lëndë narkotike mes të riut dhe një personi tjetër në lagjen Borgoratti, ku blerësi i dorëzoi dy kartëmonedha në këmbim të dozës së drogës.
Pas ndjekjes për disa minuta, policia ndaloi të dy personat në zonën e Nervit. Gjatë kontrollit, blerësit iu gjet një dozë kokainë, ndërsa 23-vjeçari kishte me vete 12 pako të së njëjtës lëndë narkotike, të përgatitura për shitje dhe të fshehura në të brendshme. Atij iu sekuestruan gjithashtu një telefon celular dhe kartëmonedhat që dyshohet se i kishte marrë nga transaksioni i sapokryer.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e të riut, ku policia gjeti 8.280 euro para në cash, të fshehura në vende të ndryshme të shtëpisë.
Të gjitha sendet e gjetura u sekuestruan si prova materiale, ndërsa 23-vjeçari u arrestua dhe më pas u përball me gjykimin e drejtpërdrejtë./mxh
