Këtë të diel po mbahen homazhet në nder të aktorit të njohur shqiptar Birçe Hasko, i cili u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare.
Familjarë, kolegë të skenës, personalitete të artit dhe dashamirës të shumtë të tij i dhanë lamtumirën e fundit aktorit Birçe Hasko.
Pas homazheve, trupi i aktorit do të përcillet për në banesën e fundit.
Kush ishte Birçe Hasko?
Hasko lindi në Dukat të Vlorës më 15 mars 1942. Pas mbarimit të shkollës së mesme punoi si mësues në Memaliaj, ku dhe u angazhua me trupën e Estradës amatore të qytetit. Në vitin 1965 studioi në degën e aktrimit në Institutin e Lartë të Arteve.
Pas diplomimit punoi si pedagog pranë këtij instituti, ku dha për disa dekada lëndën e ‘Mjeshtërisë së Aktorit’. Për punën e tij akademike i është dhënë titulli “Profesor”.
Në teatër ka interpretuar mbi 12 role. Roli i tij më i realizuar është ai i Milos në komedinë “Shi në plazh” shkruar nga Teodor Laço.
Po ashtu, Hasko la gjurmë edhe në kinematografinë shqiptare, me interpretimin e dhjetëra roleve. Roli i tij i parë në kinematografi është në vitin 1971 në rolin e ballistit në filmin “Kur zbardhi një ditë”.
Më tej do të vazhdonin rolet e tij në shumë filma si ai i Mete Jahos tek filmi “Radiostacioni” në vitin 1979, roli i Syrjait në filmin “Skëterrë 43” në vitin 1980, roli i mesuesit në filmin “Gurët e shtëpisë sime” në vitin 1985 si dhe shumë role në filma të tjerë për të mbërritur në rolin e tij të fundit në filmin “Kronikë Provinciale” në vitin 2009.
Në vitin 1976 iu dha urdhri “Naim Frashëri”, klasi i dytë, në vitin 1988 “Artist i Merituar” dhe në vitin 2002 mori titullin “Mjeshtër i Madh”./ kb
