Last Updated on 01/04/2026 by Anisa
Dritan Burgija, kreu i grupit të këshilltarëve në Këshillin Bashkiak të Durrësit, dhe anëtari Arlind Boshku, i cili mban edhe postin e sekretarit të degës së PD në Durrës, kanë mbërritur në selinë blu për të kërkuar ballafaqim me kreun e PD, Sali Berisha, pasi vlerësojnë se vendimi për përjashtimin e tyre nga partia është i pa drejtë.
“Duam shpjegime për përjashtimin tim dhe Arlind Boshkut, kolegut tim. Isha edhe në 2021 para jush për të njëjtën gjë, pasi në atë kohë dilja dhe kërkoja dinjitetin e zotit Berisha pasi u përjashtua nga lidershipi i asaj kohe. Sot kërkoj dinjitetin tim. Nuk është çështje pozicionesh po dinjiteti. Çdo rresht i vendimit është anti statutor. Kam kërkuar ballafaqim me lidershipin këtu dhe fakte e prova që çuan në shkarkimin tim. Janë bërë akuza shumë të rënda për mua dhe kolegun tim. Nuk kemi bashkëpunuar me PS, është gënjeshtër shumë e madhe”, tha Burgija.
I pyetur nga gazetarët, Burgija u shpreh se foltorja e organizuar nga ish- deputeti Ervin Salianji në Durrës, ka qenë ajo që vuri në lëvizje Partinë Demokratike.
“PD u vu në lëvizje pas asaj foltoreje të Ervin Salianjit. Deputetët dolën në terren që i thonin Berishës nuk na vijnë në takime qytetarët. U treguam se nuk u vinin atyre qytetarët, jo se nuk na vinin ne. Pse nuk vjen Berisha në Sukth?”, tha ai.
