Putin, Trump dhe Xi kontrollojnë arsenalet më të fuqishme bërthamore në Tokë. Ata duhet t’i marrin më seriozisht rreziqet bërthamore, shkruan The Economist
Frika mund të paralizojë, por ndonjëherë ajo shpëton botën.
Më shumë se një herë gjatë Luftës së Ftohtë, frika e përbashkët nga asgjësimi bërthamor i bëri udhëheqësit amerikanë dhe sovjetikë të ndalonin dhe të kërkonin mënyra më të mira për të menaxhuar arsenale, fuqia e të cilave sfidonte çdo masë dhe arsye.
Ndonjëherë tmerri që ndienin rivalët e superfuqive parandaloi një katastrofë të afërt, siç ndodhi kur John F. Kennedy dhe Nikita Khrushchev anashkaluan këshilltarët e tyre më të ashpër për t’i dhënë fund krizës së raketave në Kubë në vitin 1962.
Në raste të tjera, efektet e dobishme të frikës u shfaqën më ngadalë. Sapo është publikuar një film, “The Brink of War”, për të shënuar 40-vjetorin e takimit mes Ronald Reagan dhe homologut të tij sovjetik, Mikhail Gorbachev, në Reikjavik.
Takimi u zhvillua në një shtëpi të vogël buzë detit, që thuhej se ishte e përhumbur, dhe ishte intensiv e klaustrofobik. Diplomatët që morën pjesë kujtojnë dy oficerët, një amerikan dhe një rus, që qëndronin jashtë dhomës ku takoheshin udhëheqësit, duke mbajtur “valixhet bërthamore” që kontrollonin së bashku 60 mijë koka raketash bërthamore.
Takimi, në tetor 1986, u konsiderua një dështim në atë kohë. Më vonë, megjithatë, sekretari amerikan i Shtetit i Reagan, George Shultz, e vlerësoi atë si një hap që hodhi bazat për traktatet e mëvonshme, të cilat eliminuan kategori të tëra armësh bërthamore. Gorbachev e quajti Reikjavikun vendin ku u vu në lëvizje fundi i Luftës së Ftohtë.
Një përparim i madh ishte pranimi i ndërsjellë nga udhëheqësit amerikanë dhe sovjetikë se ata kishin frikë dhe e përçmonin armën bërthamore dhe, duke tronditur këshilltarët e tyre më të prirë për luftë, synonin t’i eliminonin të gjitha armët bërthamore, ndoshta edhe brenda dhjetë vjetësh.
Bisedimet u penguan nga një mosmarrëveshje mbi Shkatërrimin e Ndërsjellë të Sigurt (MAD), doktrinën sipas së cilës, për të shmangur luftën, sulmet bërthamore duhet të çojnë në shkatërrimin e të gjitha palëve.
Reagan, që e urrente idenë e kërkimit të paqes përmes cenueshmërisë, refuzoi të ndalonte Iniciativën e Mbrojtjes Strategjike (SDI), ëndrrën e tij, që nuk u realizua kurrë, për një mburojë mbrojtëse kundër raketave bërthamore.
“Nuk do t’i lejoj brezat e ardhshëm të amerikanëve të jetojnë me frikë”, thotë Reagan në film, duke përsëritur fjalët e transkripteve të deklasifikuara. Gorbachev pyet se si mund të fillojë çarmatimin, nëse një mburojë do t’i mundësonte Amerikës të tërhiqej nga marrëveshja dhe të godiste BRSS-në pa pasoja.
Ai e hedh poshtë ofertën e Reagan për të ndarë SDI-në me sovjetikët, duke e quajtur një “fantazi”.
Sot bota ka një problem të ri: vendet e saj më të fuqishme nuk janë mjaftueshëm të frikësuara nga vetë fuqia e tyre bërthamore. Amerika, Kina dhe Rusia po synojnë të zgjerojnë ose modernizojnë arsenalet e tyre bërthamore.
Si rezultat, ato ose ngurrojnë t’u bashkohen bisedimeve për kontrollin e armëve, ose kanë lejuar që marrëveshjet e arritura më parë të skadojnë.
Presidenti Donald Trump e ka quajtur luftën bërthamore katastrofën përfundimtare, megjithëse ai dyshon se njerëzit kanë racionalitetin e nevojshëm që MAD të funksionojë. Që në vitin 1990, ai i tha revistës Playboy se ishte “marrëzi” të besohej se armët bërthamore nuk do të përdoreshin kurrë, “sepse të gjithë e dinë se sa shkatërruese do të jenë”.
Megjithatë, tani që është Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Trump i trajton rreziqet bërthamore me një mungesë befasuese serioziteti.
Për një kohë të gjatë, Amerika punoi për të penguar vende të reja që t’i bashkoheshin “klubit bërthamor”, megjithëse, për arsye pragmatike, i fali Indinë, Izraelin dhe Pakistanin pasi këto vende ndërtuan armët e tyre bërthamore. Qëndrimet e Trump për garat e armatimeve bërthamore janë të vështira për t’u përcaktuar qartë.
Kur ishte ende kandidat për president në vitin 2016, ai tha se mund të ishte më mirë që Japonia të kishte armë bërthamore për të frenuar Korenë e Veriut, sesa të mbështetej tek Amerika për ndihmë.
Tani, në mandatin e tij të dytë presidencial, ai është përpjekur t’u shesë teknologji bërthamore partnerëve si Arabia Saudite dhe Koreja e Jugut, me më pak kufizime ose masa mbrojtëse sesa ato që përfshiheshin në marrëveshje të ngjashme të mëparshme.
Në vendin e tij, Trump është zotuar të ndërtojë një sistem përgjues “Golden Dome” për të mbrojtur Amerikën nga sulmet me raketa. Në kundërshtim me seriozitetin në dukje të kësaj ambicieje, ai vazhdimisht përplaset me Kanadanë, territorit të së cilës i nevojitet Amerika për stacionet e radarëve që do ta bënin një mburojë të tillë plotësisht efektive.
Udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, ka deklaruar publikisht se kundërshton me vendosmëri luftërat bërthamore.
Xi nuk ka asgjë të përbashkët me fanatizmin revolucionar të Mao Zedongut. Në vitin 1957, Mao i tronditi udhëheqësit e bllokut komunist të mbledhur në Moskë, kur u shfaq i gatshëm të pranonte edhe një luftë bërthamore që mund të vriste gjysmën e njerëzimit.
Sipas tij, një luftë e tillë do ta shkatërronte “imperializmin” dhe do ta kthente gjithë botën në një shoqëri socialiste. Kina e epokës së Xi-së ka ambicien të bëhet aq e fuqishme deri në mesin e këtij shekulli, sa asnjë vend tjetër të mos mundet ose të mos guxojë ta sfidojë. Një luftë botërore do ta pengonte këtë ngritje.
Në të njëjtën kohë, megjithatë, Kina i kundërshton thirrjet e Amerikës për të marrë pjesë në bisedime trepalëshe me Rusinë për kontrollin e armëve bërthamore. Zyrtarët e saj argumentojnë se arsenali kinez, megjithëse në rritje, mbetet shumë më i vogël se ai i dy fuqive të tjera të mëdha.
Edhe pse Kinës mund të mos i pëlqejë prania e kokave të raketave bërthamore dhe raketave të Koresë së Veriut, apo përpjekjet e Iranit për të siguruar një bombë, ajo duket shumë më pak e gatshme se një dekadë më parë për të mbështetur ose për të zbatuar sanksione ndërkombëtare të hartuara për të frenuar ambiciet bërthamore të secilit prej këtyre vendeve.
Kina gjithashtu nuk i është bindur kërkesave amerikane që të përdorë në mënyrë dypalëshe fuqinë e saj ekonomike për t’i detyruar ato të ndryshojnë qëndrim.
Duke qenë se Koreja e Veriut tashmë ka armë bërthamore dhe udhëheqësit e Iranit janë të frikësuar për vetë mbijetesën e regjimit të tyre, presioni i nevojshëm për të ndryshuar llogaritjet e këtyre vendeve do të duhej të kërcënonte sigurinë e regjimeve të tyre.
Kina nuk do të ushtrojë një presion të tillë, sepse i urren fushatat e udhëhequra nga Amerika për ndryshimin e regjimeve më shumë sesa i druhet mundësisë që shtetet aleate të pabindura të sigurojnë armë bërthamore.
Ata nuk kanë më frikë nga armët bërthamore
Ndryshimi më tronditës lidhet me Rusinë nën presidentin e saj, Vladimir Putin. Në vend që të synojë një botë pa armë bërthamore, Putin tani përdor kërcënimet bërthamore dhe lojën me rrezikun për të frikësuar të tjerët dhe për të kërkuar që shteti i tij mafioz, i falimentuar, të trajtohet sikur të ishte ende një superfuqi.
Lufta e Ftohtë ishte një periudhë mizorish dhe tmerresh. Megjithatë, herë pas here, frika nga asgjësimi global i shtyu udhëheqësit e saj drejt akteve madhështore.
Sot, njerëzit që drejtojnë Amerikën, Kinën dhe Rusinë nuk janë pa frikë. Por shumë shpesh, shqetësimet e tyre janë egoiste dhe të përqendruara tek interesat e brendshme. Të shpëtojmë botën? Le të shqetësohet dikush tjetër për këtë./ad
