Qindra besimtarë u mblodhën përgjatë brigjeve të Greqisë për të festuar Ujin e Bekuar, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit ortodoks. Edhe këtë vit, pavarësisht temperaturave të ulëta, dhjetëra të rinj u hodhën në ujërat e ftohta të detit Egje, duke vijuar një traditë shekullore që simbolizon pagëzimin e Jezu Krishtit.
Gjatë ceremonisë së “Bekimit të Ujërave”, prifti hodhi kryqin në det, ndërsa pjesëmarrësit u zhytën për ta kapur atë. Në një plazh në jug të Athinës, persona të moshave të ndryshme morën pjesë në këtë ritual, i cili u ndoq nga qindra qytetarë dhe nga varka të shumta në det.
Fatlum këtë vit ishte studenti 20-vjeçar, Themistoklis Mavromichalis, i cili për herë të parë mori pjesë në zhytje dhe arriti të kapë kryqin. Pas kapjes së kryqit, pjesëmarrësit u mblodhën rreth tij për të puthur reliken, e cila besohet se sjell fat, shëndet dhe mbarësi gjatë gjithë vitit.
Në ceremoni morën pjesë edhe fëmijë të vegjël, të veshur me kostume zhytjeje, ndërsa atmosfera festive u përshëndet nga besimtarët dhe kalimtarët.
Edhe në Ukrainë, banorët sfiduan temperaturat e ulëta duke u zhytur në vrimat e hapura në liqene të ngrira, një ritual që simbolizon pastrimin dhe ripërtëritjen shpirtërore. Zhytja e Epifanisë, e shoqëruar me lutje, është një mënyrë tradicionale ortodokse për të shënuar Epifaninë, duke përkujtuar pagëzimin e Jezusit./mxh
