Last Updated on 22/10/2026 by Monika
Nga ARTUR AJAZI
Tregonin pleqtë e vjetër një histori, e cila me kalimin e kohës u kthye në përrallë: një ujk zbriste nga mali dhe çdo natë hante nga një dele në plevicën e një fshatari. Përralla vazhdon: “Ujku ishte bërë tanimë si banor i plevicës, i kishte delet gati dhe bënte me to ç’të donte”.
E njëjta gjë ka ndodhur dhe po ndodh edhe me Saliun dhe 50 deputetët e tij në Parlament. Por si nuk del një, qoftë edhe një i vetëm, dhe t’i thotë: “Ndal, Berishë! Po shkatërron partinë, Parlamentin, shtetin dhe Shqipërinë prej 36 vitesh”.
Por asnjë prej “deleve” nuk flet. Madje, për Saliun janë gati të japin jetën, të ndezin zjarre, të shkatërrojnë karrige, tavolina, salla institucionesh dhe të ardhmen e tyre.
Shihet me dyshim edhe CV-ja e shumicës së deputetëve-“dele”, që janë sot pjesë e grupimit parlamentar të PD-së. Kështu ka qenë që nga flakja e themeluesve, në vitet 1992–1996. Saliu ishte padroni, Zoti i Partisë Demokratike, i përjetshmi. Kushdo që dilte paksa nga rreshti, rrezikonte t’i “pritej koka”.
Një parti klanore, krahinore, madje edhe mediat e saj, që Saliu i ka kthyer në mjete klanore e krahinore. Ajo parti ka defekte të thella, ndoshta të pariparueshme, që lidhen me formimin mendor, arsimor dhe intelektual të atyre që e ndjekin pas Doktorin. Ata janë ekzemplarë për studime të thelluara shkencore.
Askush nuk guxon as të mendojë të thotë: “Nuk i bindem më këtij”, sepse duket sikur Saliu ua lexon mendimet dhe i flak jashtë partisë.
U bë viti 1997, u bë viti 1998, u bë viti 2001; erdhi Gërdeci, erdhi 21 Janari, pasuan protesta të dhunshme, e kështu me radhë, deri sot. E megjithatë, janë sërish ata njerëz që, me sa duket, u “mandatuan” nga demokratët e rinj si guakë dhe u kthyen në dele. Nuk bëjnë as “gëk” e as “mëk”, sepse ujku i bën zap.
I flak nga partia, i heq nga rreshti, i telendis, i denoncon, pasi për shumicën prej tyre thuhet se ka dosje në kasafortë.
Kjo parti, fatkeqësisht, e mori pushtetin dy herë në Shqipëri, por me dredhi. I mashtroi dhe i gënjeu hapur shqiptarët, por as demokratët nuk ia falën.
Baza e asaj partie sot është në gjendjen e shprehjes: “Ku thërret qameti”. E ndarë, e mashtruar dhe e denigruar, ajo ka humbur besimin te Saliu dhe te gjithë shpura e tij.
Edhe në protestat e dhunshme të ditëve të fundit, Doktori nuk qëndroi “duarkryq”. Fut në lojë grupet e tij, njerëzit e bindur, të cilët i nxitin dhe i vënë në lëvizje për të ushtruar dhunë. Po ashtu veproi edhe në sallën e Parlamentit.
Mjafton vetëm shikimi i tij që 50 “delet” e grupimit parlamentar të ngrihen, të prishin seancën, të hedhin shishe uji nga krahu i majtë, të ofendojnë e të shajnë këdo që prek Doktor Saliun, madje edhe të kacafyten me kolegët e tyre.
Një parti e mbushur me ish-komunistë, ish-sigurimsa dhe farefisin e tyre pretendon se “kërkon të rikthejë lirinë, demokracinë dhe ta çojë vendin drejt BE-së”.
Një parti e mbushur me naivë, që ende besojnë se jemi në vitet 1992, 1996 apo 2005.
Kaq mjafton që shqiptarët t’i besojnë sërish Edi Ramës, kur shohin katandisjen e një force politike që, nga ëndrra e studentëve të Dhjetorit 1991, u kthye në çiflig të Sali Berishës.
