Ministri ukrainas i Financave, Serhii Marchenko, bëri thirrje për shtimin e sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa mori pjesë në takimin e ministrave të Financave të vendeve të G7-ës në Paris.
Marchenko deklaroi se nuk ka mënyrë për të qetësuar agresorin përmes lehtësimit të sanksioneve dhe se presioni ndaj Moskës duhet të vazhdojë.
Ai tha se Ukraina po bën gjithçka për të goditur ekonominë ruse, veçanërisht rafineritë e naftës dhe infrastrukturën që mbështet makinerinë ushtarake të Kremlinit.
Ministri ukrainas njoftoi gjithashtu se kësti i parë nga kredia prej 90 miliardë eurosh e Bashkimit Europian për Ukrainën pritet të disbursohet në fillim të muajit qershor.
Takimi i ministrave të Financave të G7-ës u fokusua te pasojat ekonomike të konflikteve ndërkombëtare dhe luhatjet në tregjet globale të obligacioneve, të nxitura nga frika për rritje të inflacionit pas tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit.
Rritja e çmimeve të energjisë ka shtuar shqetësimet për inflacionin, duke shtyrë investitorët të presin rritje të normave të interesit nga bankat qendrore.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të bankave qendrore të vendeve të G7-ës, të cilët diskutuan mënyrat e koordinimit për përballimin e goditjeve ekonomike dhe kontrollin e inflacionit përmes masave të përkohshme dhe të targetuara./MXH
