Last Updated on 18/05/2026 by EL
Veprimet bankare në distancë vijojnë rritjen e shpejtë në Shqipëri, duke konfirmuar zgjerimin e përdorimit të shërbimeve dixhitale nga qytetarët dhe bizneset.
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, numri i transaksioneve bankare të kryera online arriti në mbi 3 milionë në tremujorin e parë të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 26% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në të njëjtën periudhë, vlera e transfertave përmes internet banking arriti në 528,4 miliardë lekë, me një rritje rreth 31% në baza vjetore.
Bankingu në distancë, i realizuar përmes platformave online dhe aplikacioneve celulare, po konsolidohet si një nga mënyrat kryesore të kryerjes së pagesave, duke reduktuar ndjeshëm nevojën për paraqitje fizike në degët bankare.
BSH thekson se, bankingu digjital përbën 67% të totalit të transfertave bankare në tremujorin e parë të këtij viti, nga 64% një vit më parë, duke treguar një zhvendosje të qëndrueshme drejt shërbimeve elektronike në sistemin financiar./et
