Negociatorët e Ukrainës dhe Rusisë do të diskutojnë çështjen thelbësore të territorit gjatë dy ditëve të bisedimeve që fillojnë të premten në Abu Dhabi, njoftuan të dyja palët. Megjithatë, nuk ka shenja të butësimit të qëndrimeve të tyre për të përfunduar luftën që po vazhdon prej katër vitesh.
Ukraina po përballet me presion të shtuar nga Shtetet e Bashkuara për të arritur një marrëveshje paqeje, ndërsa Moska kërkon që Kievi t’i dorëzojë të gjithë rajonin industrial lindor të Donbasit para se të ndalojë sulmet.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, tha se mosmarrëveshja territoriale do të jetë prioriteti kryesor i raundit të ardhshëm të bisedimeve në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kërkesa e presidentit rus, Vladimir Putin, që Ukraina t’i dorëzojë 20% të rajonit të Donetskut në Donbas – rreth 5,000 km² – ka qenë një pengesë kryesore për arritjen e një marrëveshjeje. Zelenskiy refuzon të heqë dorë nga toka që Rusia nuk ka arritur ta pushtojë gjatë katër viteve të luftës së gjatë dhe shkatërruese./mxh
