Nga Edison Ypi
Nalta është 11 vjeç. Nalta lexon e lexon pafund e mahnitur: Për historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë, për fqinjët, Ballkanin, botën, tokën, qiellin, hapësirën.
Nalta, sa më tepër lexon, aq më tepër mahnitet, aq më tepër kurioziteti i shtohet, aq më e etur për dituri bëhet.
Një ditë, mami i solli Naltës për dhuratë një glob. E la globin mbi tavolinë dhe i tha Naltës:
-Ta solla botën. Merre. Rrotulloje dhe mësoje.
Nalta iu afrua globit e mahnitur. E rrotulloi. Priti sa globi u ndal. Vazhdoi ta vështronte e mahnitur globin: kontinentet, oqeanet, vendet, njerzit, kafshët, rracat, kufijtë, malet, lumenjtë, qytetet, kryeqytetet etj., derisa pas nja një muaji Nalta i mësoi përmendësh krejt emrat e shteteve të botës, kryeqytetet, malet më të larta, lumenjtë më të gjatë dhe, sigurisht, hartën e Shqipërisë në majë të gishtave, me male, fusha, lumenj, liqene, rrugë, ura, autostrada, tunele, deri te vendet më të largëta.
Nalta ka shumë pyetje. Pyetjet e Naltës nuk shterrin kurrë. Nalta, sa më tepër përgjigje merr, aq më tepër pyetje bën. Nalta ka pyetje më tepër se qielli ka yje.
Një ditë, duke parë globin e pjerrët, Nalta pyeti mamin:
-Pse rri shtrembër bota?
-Gjeje vetë, i tha mami, Lexo dhe mëso gjënë më misterioze që ekziston, shtrembësinë e botës.
Naltën, vogëlsia e Shqipërisë në glob e habit, e tremb, dhe e bën ta dojë më fort vendin e vet.
Një ditë, Nalta pyeti mamin deputete:
-Thonë që bota është e madhe, e vogël, e mirë, e keqe, e drejtë, e shtrembër, e kollajshme, e vështirë, e sigurt, e rrezikshme. Çfarë është ky lëmsh me emrin botë?
Mami i tha:
-Bota është gjithçka, veçse e sheshtë kurrë.
Kjo përgjigje Naltës i pëlqeu, por edhe e futi thellë në mendime.
Nalta i vë në vështirësi të rriturit kur i pyet e habitur:
-Si do hyjmë në Europë? Si do të hyjmë atje ku jemi?
Një ditë, Nalta u kthye nga shkolla e mërzitur.
-Pse je e mërzitur? e pyeti mami.
-Jam e mërzitur, tha Nalta, sepse fqinji ynë, Greqia, ka mbi 6 mijë ishuj. Suedia, Norvegjia, Kanadaja, Amerika, Indonezia kanë nga dhjetëra mijëra ishuj. Ne kemi vetëm një ishull. Dhe atë një ishull që kemi, duam ta shesim. Po të mos e kishim, do ta dëshironim; e kemi dhe duam ta shesim.
-Pse mos ta shesim? iu përgjigj mami Naltës duke i shkelur syrin. Në atë ishull vetëm gurë, drurë, ferra, lepuj e gjarpërinj ka. Si thua ti, ta lëmë bosh, ta mbajmë kot gjithë atë ishull?
-Nuk them ta mbajmë kot dhe bosh. Them ta përdorim.
-Ke ti, Nalta, ndonjë plan për ishullin e Sazanit?
-Po, e kam një plan. Të mos ndërtojmë në ishull restorante për të ngrënë tava kosi, imam bajalldira, veshka viçi. As hotele për të fjetur gjumë dhe parë ëndërra. As dyqane me rroba e rraqe. Së pari, ta pastrojmë. Të largojmë hekurishtat, makinat, mbeturinat ushtarake. Ta bëjmë Sazanin parkun më të madh në botë me lodra për fëmijë. Veç fëmijëve, në atë park do lejohen vetëm gjyshet. Edhe ato me kushtin që kur të vijnë në ishull të marrin me vete furkën dhe shtizat për t’u thurur çorape dimri nipave dhe mbesave rreth vatrës duke u rrëfyer përralla për luftëra, trima, mbretër, princa, princesha. Kalamajtë dhe gjyshet nuk do të vijnë në Sazan me anije, as me varka, por vetëm me dronë nga qielli si mbi qilima fluturues. Në ishull, ku nuk do të ketë asnjë makinë dhe asnjë rrugë makine. Vetëm pista për biçikleta, shtigje për ekskursione nëpër pyje dhe një mijë lodra të tjera të vlefshme për shëndetin e mendjes dhe trupit të fëmijëve. Mos e voto në Parlament shitjen e ishullit të vetëm që kemi. Harro urdhërat e vjetër, urdhërin e Jaltës, Urdhërin e Maltës. Zbato urdhërin e ri, urdhërin tim, Urdhërin e Naltës.
