Një valë e fortë dhe e hershme e të nxehtit ka përfshirë Francën, duke sjellë temperatura rekord për muajin maj dhe pasoja të rënda shëndetësore në disa zona të vendit.
Gjatë fundjavës, një person humbi jetën në Paris ndërsa merrte pjesë në një garë vrapimi, si pasojë e temperaturave ekstreme. Ndërkohë, rreth dhjetë garues të tjerë nga një aktivitet tjetër sportiv në periferi të kryeqytetit përfunduan në spital, sipas shërbimit të zjarrfikësve.
Sipas të dhënave të Météo-France, temperaturat në Paris arritën në 31.9°C, duke kaluar për herë të parë këtë vit pragun 30°C. Autoritetet e motit e kanë cilësuar këtë situatë si një “valë të hershme dhe të qëndrueshme nxehtësie”, e shkaktuar nga një “kupolë termike” që bllokon masat e nxehta ajrore mbi vend.
Situata është përhapur në të paktën 13 rajone të Francës perëndimore, të cilat janë vendosur nën alarm të verdhë – niveli i parë i paralajmërimit për valë të nxehti – për herë të parë në muajin maj që nga viti 2004.
Në disa zona, temperaturat kanë kaluar 30°C dhe pritet të arrijnë deri në 35°C në ditët në vijim. Në Brest, u regjistrua një rekord i ri për muajin maj me 29.8°C.
Meteorologët paralajmërojnë se kjo valë e të nxehtit pritet të zgjasë edhe në fillim të javës së ardhshme, duke e bërë situatën të rrezikshme për shëndetin publik.
Ekspertët e klimës theksojnë se ngjarje të tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive si pasojë e ndryshimeve klimatike të lidhura me emetimet nga djegia e lëndëve fosile./A.D
