Londinezët nisën ditën e premte me një mënyrë ndryshe për t’i shpëtuar temperaturave të larta, duke u futur në ujë ndërsa një tjetër valë të nxehti ka përfshirë kryeqytetin britanik.
Temperaturat në Londër pritet të arrijnë të paktën 30 gradë Celsius për disa ditë radhazi, pas një vale të mëparshme të të nxehtit që solli temperatura rekord në Mbretërinë e Bashkuar.
Pas një nate të nxehtë dhe të vështirë, shumë banorë zgjodhën pishinat e hapura si mënyrë për t’u freskuar.
Inxhinieri 32-vjeçar David Motley dhe infermierja 31-vjeçare Sarah Vinestock e nisën mëngjesin me një not në pishinën lundruese “Sea Lanes” në Canary Wharf.
“Nata e kaluar nuk ishte aspak komode, ndaj kjo të jep ndjesinë e një rifillimi”, tha Motley.
Edhe Lydia Zavos, 25 vjeçe, e cilësoi vapën “të padurueshme”, duke thënë se një not në pishinën e jashtme ishte një mënyrë e mirë për t’u përballur me temperaturat e larta.
Meteorologët paralajmërojnë se ditët e nxehta do të vijojnë, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, veçanërisht gjatë orëve me temperaturat më të larta./mxh
