Mungesat e benzinës që prej javësh kanë shkaktuar radhë të gjata në pikat e karburantit në Moskë, duket se kanë filluar të zbuten.
Disa shoferë në kryeqytetin rus thanë se pritjet në disa pika furnizimi janë shkurtuar dhe se tashmë janë rikthyer të gjitha llojet e benzinës. Koha e pritjes për furnizim, sipas tyre, nuk i kalon më shumë se 15 minuta.
“Situata u përmirësua. Dy ditë më parë ishte një katastrofë e vërtetë”, tha një banor i Moskës, Maxim.
Disa drejtues automjetesh e lidhin uljen e radhëve me përfundimin e blerjeve nga paniku, pasi shumë qytetarë kishin mbushur rezervuarët me sasi më të mëdha karburanti.
Megjithatë, jo të gjithë shoferët raportojnë përmirësim. Disa thonë se mungesat vijojnë dhe se benzina gjendet vetëm në pika të caktuara. Një tjetër shqetësim mbetet rritja e çmimit.
“Është e shtrenjtë. 75 rubla për litër janë shumë”, tha një shofer i ri.
Sipas të dhënave të Reuters, disa pika karburanti në Moskë kanë mbetur të mbyllura, ndërsa në disa të tjera ka pasur vetëm gaz të lëngshëm.
Kriza e furnizimit lidhet me sulmet e intensifikuara me dronë nga Ukraina ndaj infrastrukturës energjetike ruse, veçanërisht rafinerive të naftës. Sulmet kanë shkaktuar ndërprerje në prodhim dhe kanë ndikuar në furnizimin me karburant.
Sipas burimeve të industrisë, prodhimi rus i benzinës ka rënë ndjeshëm, duke arritur rreth 65 për qind të konsumit mesatar sezonal. Mungesa ditore vlerësohet në rreth 40 deri në 45 mijë tonë metrikë, ose afërsisht 35 për qind më pak se kërkesa e periudhës së verës.
Në muajin qershor, mungesa ishte rreth 25 për qind./mxh
