Ekspertët paralajmërojnë se valët e të nxehtit do të bëhen më të shpeshta dhe më intensive në të ardhmen, por destinacionet turistike dhe vetë udhëtarët po përshtaten me shpejtësi.
Për udhëtarët me përvojë, Heike dhe Robert Taylor, vera e vitit 2022 në Umbria u kthye në një pikë kthese.
Çifti ende i kujtonte qartë vështirësitë e një udhëtimi stresues në Luginën e Loire-s në korrik 2019, kur rajoni u përfshi nga temperatura deri në 40°C. Megjithatë, ata vendosën të mos hiqnin dorë nga rezervimi i një vile në Itali për një ribashkim të madh familjar.
Si natyrë, familja Taylor i pëlqen pushimet aktive dhe eksploruese. Por vala e fortë e të nxehtit që goditi atë verë rajonin e Italisë qendrore ishte aq e ashpër, sa ata përfunduan duke dalë shumë rrallë nga prona që kishin marrë me qira.
“Ajo që ishte vërtet e frikshme ishte të rrije shtrirë pranë pishinës dhe të shihje tymin në largësi nga zjarret, ndërsa helikopterët fluturonin për të shuar flakët. Nuk besoj se do ta harroj ndonjëherë këtë,” thotë Heike.
Pas kthimit në shtëpi, çifti vendosi: kurrë më. Tani, muajt e pikut të verës i kalojnë në shtëpinë e tyre në Surrey dhe përreth saj, ndërsa muajt jashtë sezonit të lartë turistik në Europë, si maji dhe shtatori, i shfrytëzojnë për pushime aktive në vende si Sicilia dhe Korsika.
Ky është një model gjithnjë e më i zakonshëm mes udhëtarëve, pasi valët e të nxehtit nuk janë më thjesht anomali të pakëndshme, por ngjarje shumë shqetësuese që po përsëriten pothuajse çdo vit.
Vera e vitit 2022 ishte veçanërisht ekstreme: në Europë u vlerësuan rreth 60 mijë vdekje të lidhura me të nxehtin; Kina u përball me një valë të paprecedentë të nxehti që zgjati 70 ditë; ndërsa në korrik, disa zona të Mbretërisë së Bashkuar kaluan për herë të parë temperaturën 40°C.
Në të njëjtin muaj të vitit pasues, gati 20 mijë persona, shumë prej tyre turistë, u detyruan të evakuoheshin nga ishulli grek i Rodosit për shkak të zjarreve të përkeqësuara nga vala e të nxehtit.
Valët e të nxehtit po shtrihen edhe përtej muajve tradicionalë të verës. Në maj 2022, agjencia shtetërore meteorologjike e Spanjës, Aemet, raportoi një valë të nxehti me “intensitet të jashtëzakonshëm”, me temperatura deri në 15°C mbi mesataren sezonale. Në vitin 2023, i nxehti i fortë në Francë vazhdoi deri në shtator, duke ndikuar edhe në zhvillimin e Kupës së Botës në regbi.
Ndërsa më herët këtë vit, pjesa më e madhe e jugperëndimit të SHBA-së u godit nga një valë e nxehti në mars, me temperatura që arritën deri në 43°C në disa zona të Arizonës.
Siç është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres: “I nxehti ekstrem nuk është më një ngjarje e rrallë — ai është kthyer në normalitetin e ri.”
Në terma statistikorë, nuk ka një përkufizim universal për valën e të nxehtit, pasi temperaturat ndryshojnë shumë nga një rajon i botës në tjetrin. Megjithatë, në çdo rast, ajo nënkupton një periudhë me temperatura jashtëzakonisht të larta që zgjasin për disa ditë rresht.
Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar e përkufizon valën e të nxehtit si të paktën tri ditë gjatë të cilave temperaturat maksimale ditore tejkalojnë pragun e caktuar për një rajon. Në Londër, ky prag është 28°C; në Skoci, 25°C. Të dyja këto temperatura do të konsideroheshin të buta për një qytet si Athina.
Sipas Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, aktiviteti njerëzor po nxit “në mënyrë të qartë” ngrohjen globale dhe shtimin e fenomeneve ekstreme të motit. Për këtë arsye, situata pritet vetëm të përkeqësohet.
“Jemi mjaft të sigurt se për dekadat e ardhshme, të paktën, në mos për shekuj, do të bëhet gjithnjë e më nxehtë,” thotë Alejandro Saez Reale, specialist për valët e të nxehtit dhe ndikimin e tyre në Organizatën Botërore Meteorologjike në Gjenevë.
“Ndikimi te vendet që varen nga turizmi mund të jetë shumë i madh.”
Europa gjendet në epiqendrën e sfidave që valët e të nxehtit po i sjellin turizmit. Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, ajo është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, por njëkohësisht mbetet edhe destinacioni më i vizituar turistik. Franca, Spanja, Italia dhe Greqia renditen vazhdimisht mes 10 vendeve më të vizituara në planet.
Në këtë realitet të ri po fiton terren termi “coolcation”, që përshkruan prirjen e udhëtarëve për të zgjedhur destinacione më të freskëta dhe me temperatura më të moderuara.
Sipas një raporti të Komisionit Europian të Udhëtimeve (ETC), vendet e Europës Veriore dhe Lindore janë ndër destinacionet me rritjen më të shpejtë turistike. Finlanda, Norvegjia, Polonia dhe Islanda kanë regjistruar rritje dyshifrore të numrit të vizitorëve të huaj.
Një studim i ETC-së në vitin 2025 tregoi se 81% e europianëve po ndryshojnë zakonet e tyre të udhëtimit për shkak të ndryshimeve klimatike. Nga ta, 15% po kërkojnë në mënyrë aktive destinacione me klimë më të freskët, ndërsa 14% po shmangin vendet që preken shpesh nga valët ekstreme të të nxehtit. Edhe operatorë të mëdhenj turistikë si TUI dhe Thomas Cook raportojnë rritje të kërkesës për vendet nordike.
Megjithatë, pavarësisht këtyre ndryshimeve, vendet tradicionale të turizmit mesdhetar vazhdojnë të dominojnë. Sipas të dhënave të Turizmit të OKB-së për vitin 2025, Franca mbeti vendi më i vizituar në botë me 102 milionë turistë, e ndjekur nga Spanja me 96.8 milionë. Italia renditej në vendin e pestë me 64.5 milionë vizitorë.
Kjo tregon se, edhe pse ritmi i rritjes së turizmit mund të jetë ngadalësuar, numri i turistëve që vizitojnë këto vende nuk po bie.
ABTA, Shoqata e Agjentëve Britanikë të Udhëtimit, mbetet skeptike se valët e të nxehtit mund ta ndryshojnë hartën e turizmit, të paktën në afat të shkurtër.
“Reagimet nga anëtarët tanë tregojnë se, në përgjithësi, njerëzit vazhdojnë të udhëtojnë si më parë, duke zgjedhur destinacionet mesdhetare gjatë muajve të verës,” tha një zëdhënës. “Interesi në rritje për destinacione pak më të freskëta mbetet ende përjashtim, jo rregull.”
Për vendet që varen nga turizmi, ka arsye të forta ekonomike që valët e të nxehtit të mos kthehen në shkak largimi masiv të vizitorëve. Kjo po nxit risi që, me kalimin e kohës, mund të përhapen gjerësisht.
Sevilja, në një zonë të Spanjës të njohur si “furra iberike” për shkak të erërave të nxehta që vijnë nga Afrika e Veriut, është një nga qytetet më të prekura nga valët e të nxehtit. Banorët e saj janë mësuar me masa të avancuara për zbutjen e vapës.
Këto përfshijnë sisteme spërkatjeje me ujë të mbledhur nga reshjet në zonat me shumë kalimtarë; një rrjet dhomash nëntokësore, të ngjashme me akueduktet, që mund të ulin temperaturën në nivel rruge deri në 9°C; tenda që mbulojnë rrugët; si dhe “ishuj të freskët urbanë” — hapësira me bimësi të dendur që shërbejnë si streha nga i nxehti dhe po përdoren edhe në Los Anxhelos, Singapor, Paris dhe dhjetëra qytete të tjera.
Atraksione si Royal Alcázar i Seviljes, që kanë zhvendosur oraret e hapjes në mbrëmje, janë një tjetër masë praktike për t’iu përshtatur vapës.
Koncepti i “noctourism”, pra eksplorimi i qyteteve dhe monumenteve pas perëndimit të diellit, po përqafohet gjithnjë e më shumë. Kjo po ndodh nga Koloseu i Romës deri te Akropoli i Athinës, i cili vitet e fundit është mbyllur shpesh gjatë pikut të verës për shkak të valëve të të nxehtit.
Arcas Travel Services, një kompani që organizon ture në Greqi, thotë se ka nisur t’i zhvendosë udhëtimet me temë arkeologjike drejt muajve jashtë sezonit të pikut, për shkak të mbylljes së siteve kryesore nga temperaturat e larta.
Ndërkohë, turet me biçikletë po përshtaten me nisje shumë herët në mëngjes dhe përfundim më të hershëm gjatë ditës. Shpesh janë vetë operatorët turistikë, dhe jo udhëtarët, ata që po e marrin iniciativën. Kjo nxjerr në pah një nga shqetësimet kryesore: mungesën e ndërgjegjësimit për rreziqet e të nxehtit ekstrem.
Dr. Mehri Khosravi, eksperte e të nxehtit në University of East London, e cila është rritur në Teheran, ku temperaturat mbi 40°C nuk janë të pazakonta, thotë se një pjesë e problemit lidhet me mungesën e një “kulture të vapës” mes vizitorëve në rajonet e prekura nga valët e të nxehtit.
Kjo “kulturë” përfshin përshtatje shoqërore dhe sjellore, nga mënyra e veshjes deri te ritmi i ditës.
“Perceptimi vazhdon të jetë se i nxehti është diçka e dëshirueshme,” thotë ajo. “Sjellja në turizëm do të duhet të përshtatet, dhe çelësi për këtë është komunikimi i rrezikut.”
Saktësia në rritje e parashikimeve afatgjata është një ndihmë e rëndësishme kur bëhet fjalë për paralajmërimet mbi ngjarjet klimatike.
Saez Reale beson se në të ardhmen do të bëhet gjithnjë e më e zakonshme që shërbimet meteorologjike të bashkëpunojnë me institucionet e turizmit për motin ekstrem, ashtu siç bëjnë aktualisht me autoritetet shëndetësore.
Një tjetër prirje e pritshme është që udhëtarët të rezervojnë më vonë dhe të tregohen më fleksibël, si për destinacionin, ashtu edhe për periudhën kur zgjedhin të bëjnë pushime.
“Lajmi i mirë është se ka shumë gjëra që mund të bëhen,” thotë ai.
Ndryshimet që valët e të nxehtit po sjellin në turizëm mund të kenë edhe anë pozitive. Një prej tyre është shpërndarja më e ekuilibruar e turistëve, si gjeografikisht, ashtu edhe gjatë vitit. Turizmi ushtron presion të madh mbi burimet lokale, si uji dhe shërbimet shëndetësore, veçanërisht gjatë periudhave të gjata me temperatura të larta.
Investimet në infrastrukturë rezistente ndaj klimës, të bëra për të qetësuar shqetësimet e udhëtarëve, sjellin përfitime të qarta edhe për popullsinë vendase.
Por për Jenny Southan, CEO e agjencisë së parashikimit të trendeve në udhëtim Globetrender, përfitimi më i madh mund të jetë ndryshimi i mënyrës së të menduarit.
“Udhëtarët po bëhen më të ndërgjegjshëm për klimën, edhe pse ekziston një tension i brendshëm mes dëshirës për të eksploruar dhe kostos mjedisore që sjell kjo. Presioni klimatik mund të shërbejë si katalizator për një epokë më të menduar dhe më të qëllimshme të udhëtimit.”
Për Heike dhe Robert Taylor, të cilët tashmë preferojnë të udhëtojnë jashtë sezonit të pikut, valët e të nxehtit mund t’u kenë ndryshuar strukturën dhe ritmin e vitit, por jo domosdoshmërisht për keq.
“Kur udhëton më herët ose më vonë gjatë vitit, në vend që të shkosh në kulmin e verës, mund të marrësh një ndjesi më autentike të asaj se si është vërtet një vend,” thotë Heike./ National Geographic-a.d
