Një paralajmërim i rrallë i nivelit “të kuq” për temperatura ekstreme në Britaninë e Madhe është zgjatur deri të premten, ndërsa vendi po përballet me një valë të re rekord të të nxehtit.
Shërbimi meteorologjik shtetëror “Met Office” ka bërë të ditur se alarmi i kuq për Londrën, Anglinë lindore dhe juglindore, përfshirë , Oxfordshire, Bedfordshire, Hampshire dhe Kent, do të mbetet në fuqi deri në orën 21:00 të së premtes, për shkak të temperaturave dhe lagështisë ekstreme.
Sipas parashikimeve, temperaturat mund të kalojnë 36°C dhe në disa zona do të arrijnë deri në 38°C.
Temperaturat më të nxehta për muajin qershor, u shënuan dje me 36,1°C, të regjistruara paraprakisht në Gosport, Hampshire – duke tejkaluar rekordin historik të vitit 1976.
Në disa zona, netët kanë qenë po ashtu jashtëzakonisht të nxehta, duke e bërë të vështirë pushimin dhe rikuperimin e qytetarëve.
Në Kardif u regjistruan temperatura deri në 23,5°C, ndërsa në Plymouth 23,0°C – vlera rekord për temperaturat minimale të qershorit.
Vala e të nxehtit ka shkaktuar ndërprerje të gjera në jetën e përditshme: spitale me kushte të vështira pune, shkolla dhe çerdhe të mbyllura ose me orar të reduktuar, si dhe probleme në transportin hekurudhor.
Autoritetet e Hekurudhës Jugperëndimore u kanë bërë thirrje pasagjerëve të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme drejt zonave bregdetare.
Ndërkohë, Autoriteti i Ujit Juglindor ka vendosur ndalim të përkohshëm të përdorimit të ujit për spërkatje apo ujitje të kopshteve dhe larjen e makinave, në Kent – për shkak të kërkesës së lartë për ujë.
Autoritetet shëndetësore kanë ngritur gjithashtu alarme të nivelit të lartë. Agjencia britanike e Sigurisë Shëndetësore ka lëshuar paralajmërime të kuqe për disa rajone, duke paralajmëruar për ndikime serioze në shëndetin e popullsisë, veçanërisht për grupet më të rrezikuara.
Ekspertët thonë se vala e të nxehtit po nxitet nga një “kupolë e nxehtësisë” mbi Evropën Perëndimore, ndërsa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, po e bëjnë këtë fenomen më të shpeshtë dhe më intensiv.
Sipas parashikimeve, nëse temperaturat arrijnë 39°C, kjo do të ishte një nga ditët më të nxehta të regjistruara ndonjëherë në Britani të Madhe.
Situata ka ngritur shqetësime serioze edhe në sistemin shëndetësor. Kolegji Mbretëror i Mjekëve ka paralajmëruar për presion të madh në spitale, mungesë ajri të kondicionuar dhe kushte pune të vështira, për personelin mjekësor.
Paralajmërime të ngjashme janë lëshuar edhe në Irlandë nga shërbimi meteorologjik shtetëror “Met Éireann”, ku temperaturat mund të afrohen ose të thyejnë rekorde historike.
Autoritetet britanike paralajmërojnë se vala e të nxehtit do të vijojë deri në fund të javës, me ndikime të mëtejshme në shëndet, infrastrukturë dhe jetën e përditshme./mxh
