Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka deklaruar se Irani nuk po respekton memorandumin e mirëkuptimit të arritur me Uashingtonin dhe paralajmëroi se SHBA-ja do të reagojë me forcë nëse vazhdojnë sulmet ndaj anijeve.
Gjatë një aktiviteti në Milwaukee, Vance tha se marrëveshja mes palëve ishte e qartë: Shtetet e Bashkuara do të hiqnin bllokadën, ndërsa Irani do të ndalonte sulmet ndaj anijeve. Sipas tij, kjo nuk po ndodh.
“Marrëveshja që arritëm ishte e thjeshtë: ne do ta heqim bllokadën nëse ata ndalojnë të shtënat ndaj anijeve. Por nëse vazhdojnë të qëllojnë, ne do të kundërpërgjigjemi dhe do ta bëjmë këtë më fort se kurrë më parë. Ata thanë se do të ndalonin sulmet, por vetëm 24 orë më parë rifilluan të qëllojnë ndaj anijeve”, u shpreh Vance.
Ai shtoi se qëndrimi i administratës amerikane mbetet i pandryshuar.
“Nëse ata sulmojnë anijet, ne do t’i godasim me gjithë forcën. Është kaq e thjeshtë”, deklaroi ai.
I pyetur për zhvillimet e fundit lidhur me tensionet me Iranin dhe paralajmërimet e presidentit Donald Trump, Vance tha se presidenti “ka shumë opsione në dispozicion”, por theksoi se objektivi kryesor është garantimi i lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
“Nuk do të tregoj saktësisht se çfarë do të ndodhë sonte, por presidenti ka qenë shumë i qartë: Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur. Kjo do të thotë që nafta dhe gazi duhet të vazhdojnë të rrjedhin drejt tregjeve. Nëse Irani përpiqet ta mbyllë atë, do të ketë një përgjigje nga ushtria amerikane. Është kaq e thjeshtë”, tha Vance./mxh
