Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës J.D. Vance ka deklaruar se Presidenti Donald Trump ende preferon një zgjidhje diplomatike me Iranin, duke shpresuar se Teherani do ta marrë seriozisht këtë qëndrim në raundin e ri të bisedimeve.
Vance tha në një emision televiziv se Trump e ka bërë të qartë se Irani nuk mund të pajiset me armë bërthamore. Ai tha se presidenti amerikan po e ndjek këtë qëllim përmes diplomacisë, megjithëse ai ka mjete të tjera në dispozicion.
Gjatë intervistës, Vance nuk pranoi të përgjigjes nëse Shtetet e Bashkuara do të donin që Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, të jepte dorëheqjen .
“Ne jemi ulur në tryezë për një raund tjetër bisedimesh diplomatike me iranianët, duke u përpjekur të arrijmë një kompromis të arsyeshëm”, tha ai.
Delegacionet amerikane dhe iraniane do të zhvillojnë një raund të tretë bisedimesh mbi programin bërthamor të Teheranit të enjten në Gjenevë./mxh
