Last Updated on 11/11/2026 by Monika
Deputeti i Partisë Socialiste, Skënder Pashaj, është shprehur se kërkesa e kryebashkiakut Erion Veliaj për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, duhet të shqyrtohet nga një Komision i Posaçëm në Kuvend.
Komentet Pashaj i bëri në një intervistë për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ku komentoi kërkesën e Veliajt për ngritjen e Komisionit Hetimor, lidhur me pretendimet e kryebashkiakut për kërcënime nga kryeministri Edi Rama përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogut.
“Unë do jem pak sipas ish-profesionit tim, ish-sipërmarrës, do të jem i drejtpërdrejtë. Do mundohem të jem sa më i qartë dhe më i përafërt me atë që po them, sepse nuk e kam unë pronësinë e vërtetësisë në këtë rast. Përsa i përket kërkesës që ka bërë Veliaj, më duket diçka që një qytetar mund të kërkojë çdo gjë, por në këto raste ka disa komisione, instanca… Është komisioni i kryetarëve që merret me këtë gjë. Mendoj që duhet parë se kush janë pretendimet që ka zoti Veliaj, mbi çfarë gjërash i pretendon këto. Komisioni i Kryetarëve është në gjendje që ta verifikojë ose ta vlerësojë nëse është e drejtë që të krijohet ky komision, apo nuk është e drejtë që të krijohet ky komision, sipas zotit Veliaj”, tha mes të tjerash Pashaj.
Pashaj theksoi më tej se deri në këto momente nuk kishte pasur ndonjë komunikim brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste për këtë çështje.
Ai ritheksoi më tej se kërkesa e Veliajt për ngritjen e Komisionit Hetimor, nuk është çështje partie, por një çështje që duhet të shqyrtohet nga një komision i posaçëm.
“Deri në këto momente nuk kemi pasur një komunikim në PS për këtë çështje, sepse është e orëve të fundit. Sot kam pasur komisionet e mia dhe kam mbaruar vonë edhe me komisionet. Them sërish që nuk është çështje partie, por është çështje e komisionit të kryetarëve të Komisioneve. Është një Komision i Posaçëm që merret me këto ankesa”, shtoi Pashaj./MXH
