Last Updated on 25/06/2026 by Anisa
Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e rëndë kriminale e ndodhur mbrëmjen e sotme në Kavajë, ku një konflikt mes dy vëllezërve përfundoi në mënyrë tragjike.
Sipas informacioneve paraprake nga policia, rreth orës 20:30, Muhamet Rreshka, 76 vjeç, dhe vëllai i tij, Eqerem Rreshka, 74 vjeç, ndodheshin në një arë duke mbledhur bazën ushqimore për blegtorinë. Gjatë qëndrimit së bashku, mes tyre ka shpërthyer një debat, rrethanat dhe shkaqet e të cilit ende nuk janë bërë të ditura.
Në kulmin e konfliktit, 76-vjeçari dyshohet se ka goditur me thikë vëllain e tij, duke i shkaktuar plagë të rënda. I plagosuri është transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë gjatë rrugës.
Menjëherë pas ngjarjes, autori i dyshuar është shoqëruar në polici, ndërsa grupi hetimor ka nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivet që çuan në këtë ngjarje tragjike brenda familjes./ad
