Një raport i ri analizon faktorë si: niveli i punësimit të të lindurve jashtë vendit, siguria dhe përvoja e përgjithshme e emigrantëve.
Edhe pse zhvendosja fizike jashtë vendit mund të jetë e lehtë, sigurisht, në varësi të pasaportës që keni, të ndihesh vërtet i përshtatur në shtëpinë e re mund të kërkojë kohë.
Mund të ketë pengesa gjuhësore ose shumë burokraci për t’u përballuar, pa llogaritur më pas sfidën e ndërtimit të një rrethi miqsh dhe gjetjes së vendeve të përditshme ku ndihesh si në shtëpi.
Fatmirësisht, ekipi i kompanisë së sigurimeve për emigrantë dhe punonjës në distancë, William Russell, ka analizuar të dhënat për të përcaktuar se cilat janë vendet dhe qytetet më mikpritëse në botë.
“Një destinacion mikpritës nuk matet aq shumë nga sa e lehtë është të hysh në të, por nga sa e lehtë është të ndërtosh një jetë pasi ke mbërritur,” tha William Cooper, drejtor dhe bashkëpronar i William Russell.
“Qasja në punësim, disponueshmëria e kujdesit shëndetësor dhe stabiliteti financiar luajnë të gjitha një rol real nëse emigrantët ndihen të përshtatur brenda gjashtë deri në 12 muajve të parë. Këta faktorë mund të bëjnë diferencën mes kthimit në shtëpi dhe zhvendosjes afatgjatë,” tha ai.
Vendet më mikpritëse në Europë për emigrantët
William Russell i ka vlerësuar vendet me pikë nga 1 në 10, bazuar në gjashtë faktorë: përvoja e emigrantëve, madhësia e popullsisë migrante, niveli i punësimit të të lindurve jashtë vendit, qëndrimet e publikut ndaj emigrantëve, siguria dhe hapja e politikave të vizave.
Të dhënat janë marrë nga burime të ndryshme, përfshirë sondazhin Expat Insider të InterNations, OECD-në, Bankën Botërore, Indeksin Global të Paqes dhe Henley Global.
Me një rezultat të përgjithshëm prej 8.94 nga 10, Islanda u shpall vendi më mikpritës në botë, falë nivelit të lartë të punësimit të të lindurve jashtë vendit, prej 84.2%, mundësive për punësim, procedurave të thjeshta administrative dhe nivelit të lartë të besimit shoqëror.
Vendin e dytë e zuri gjithashtu një vend evropian: Luksemburgu.
Kjo lidhet me numrin e lartë të migrantëve në Luksemburg, ku më shumë se gjysma e banorëve vijnë nga jashtë. Për këtë arsye, shërbime si bankat dhe strehimi janë të përshtatura për rezidentët ndërkombëtarë, ndërsa vendet e punës shpesh janë shumëgjuhëshe dhe me kolegë që kanë përvoja të ngjashme zhvendosjeje.
Zvicra u rendit e pesta, me një rezultat të lartë për hapjen ndaj vizave, 93 pikë, dhe me një normë punësimi prej 77.1% për të lindurit jashtë vendit.
Pas saj renditet Irlanda në vendin e gjashtë, ndërsa dhjetëshja e parë plotësohet nga tre vende evropiane: Çekia, Portugalia dhe Austria.
Vendet kryesore, vlerësimi nga 10
- Islanda: 8.94
- Luksemburgu: 8.69
- Zelanda e Re: 8.57
- Australia: 8.54
- Zvicra: 8.36
- Irlanda: 7.89
- Kolumbia: 7.71
- Çekia: 7.62
- Portugalia: 7.47
- Austria: 7.40
Qytetet më mikpritëse në Europë për emigrantët
Për renditjen e qyteteve, William Russell analizoi të dhëna nga Happy City Index dhe Numbeo, duke u fokusuar te faktorë që lidhen me lumturinë, sigurinë dhe mikpritjen e komunitetit ndaj banorëve të rinj.
Qytetet më mikpritëse për emigrantët
Zyrihu kryesoi renditjen e përgjithshme, me një nivel të lartë sigurie prej 76.7 pikësh dhe një rezultat të ulët të “fërkimit social” prej 24.9, që tregon më pak vështirësi në përshtatje.
Në Evropë, pas tij renditet Kopenhaga në vendin e katërt, e ndjekur nga Mynihu në vendin e pestë, Praga në vendin e gjashtë dhe Varshava në vendin e tetë.
Qytete të mëdha si Londra, Parisi dhe Nju Jorku mungojnë në dhjetëshen e parë. Sipas William Russell, përmasa dhe dendësia e madhe e këtyre qyteteve mund të rrisin ndjesinë e anonimitetit dhe ta bëjnë më të vështirë krijimin e lidhjeve shoqërore.
Qytetet kryesore, vlerësimi nga 10
- Zyrihu: 9.06
- Singapori: 8.97
- Tokio: 8.97
- Kopenhaga: 8.72
- Mynihu: 8.63
- Praga: 7.86
- Dubai: 7.61
- Varshava: 7.52
- Seuli: 7.44
- Hong Kongu: 7.26./ Euronews-ad
