Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Administrative për kërkesën e PD për masat disiplinore të vendosura ndaj tyre nga Kuvendi.
Balla e ka quajtur vendimin nëj lajthitje në objekt, e cila sipas tij ka ndërhyrë në kompetencat e ograneve të Kuvendit.
“Gjykata Administrative e Shkallës së Parë paska shqyrtuar dhe madje paska marrë vendim për masat disiplinore ndaj deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët si sot para katër muajsh, hodhën flakadanë dhe bllokuan punën e Kuvendit me dhunë.
Së pari, përgëzime gjyqtarit apo gjyqtares që e paska kryer kaq shpejt këtë proces. Uroj të jepen të tilla vendime kaq shpejt edhe për ankesat e halleve të qytetarëve të thjeshtë, për hallet e vërteta e jo si këto. Sepse të mbarosh një shkallë gjyqësore në Shqipëri për kaq pak ditë, qenka një rekord.
Por thelbi i çështjes është një lajthitje në objekt për këdo që mund ta ketë thënë këtë vendim. Ndoshta gjyqtari apo gjyqtarja nuk e di se Gjykata e Lartë e Republikës sonë e ka konsoliduar praktikën në një rast mëparshëm duke sanksionuar moskalimin e gardhit të gjyqësorit tek fusha e legjislativit për këto lloj masash disiplinore.
Dihet botërisht se gjykatat nuk kanë juridiksion të gjykojnë këto lloj masash disiplinore, sepse këto janë akte të Parlamentit dhe nuk mund t’i nënshtrohen vlerësimit nga pushteti gjyqësor, përveçse në rastin kur vetë ligji i posaçëm për statusin e deputetit apo rregullorja e Kuvendit do ta parashikonte shprehimisht këtë mundësi. As ligji dhe as rregullorja nuk e përcakton këtë mundësi.
Në këto raste dhe mbron parimi i autodiksias, pra që janë organet e vetë Parlamentit ato që gjykojnë veten dhe askush tjetër. Përjashtimet duhet të parashikohen shprehimisht në Kushtetutë apo në një ligj të posaçëm, ndryshe nuk i hyn dot brenda gardhit.
Në Parlamentin Italian, për shembull, procedimi disiplinor ndaj senatorëve dhe deputetëve normohet nga rregulloret e brendshme të secilës dhomë, me qëllim zhvillimin korrekt të punimeve të Parlamentit dhe mbrojtjen e dinjitetit të institucionit. Organi kompetent për gjykim është brenda dhomës përkatëse dhe aty mbyllet e gjithë procedura. Nuk ka gjykatë ku mund të apelohet. Edhe në çdo parlament tjetër është e njëjta praktikë, edhe Franca gjithashtu.
Gjykatat, qoftë në Francë apo në Itali, Gjykatat e Larta Administrative kanë përcaktuar se gjykatat nuk mundet të shqyrtojnë këtë lloj çështjeje, sepse ato janë kompetencë ekskluzive e Asamblesë apo e Senatit apo e Dhomës së Deputetëve.
Tani, kush do reagojë? KLGJ-ja, ILD-ja, apo shoqatat për këtë lajthitje në objekt?”, ka thënë Balla./ kb
