Last Updated on 16/09/2026 by EL
Ish-ministrja e Jashtme Elisa Spiropali ka reaguar ashpër në lidhje me dënimin, në total me 81 vite burgim, të ish-krerëve të UÇK-së nga Specialja në Hagë, teksa ka hedhur akuza ndaj Serbisë se qëndron pas këtij vendimi.
Në një postim në Facebook, Spiropali shkruan se në Hagë nuk u dënuan Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, por me gjuhën e përdoru është dënuar gjithë lufta çlirimtare.
‘’Një gjykatë mund të përcaktojë përgjegjësi individuale. Por nuk mund ta rishkruajë si projekt kriminal luftën e një populli për liri. UÇK-ja ishte përgjigjja ndaj dhunës shtetërore serbe dhe themeli mbi të cilin u ndërtua liria e Kosovës’’, thekson ish-ministrja.
Po ashtu politikania e lartë ka hedhur idenë që Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës duhet të miratojnë menjëherë një rezolutë të përbashkët që mbron të vërtetën historike të luftës së UÇK-së.
Postimi i plotë:
Serbia e Millosheviçit e dënoi Hashim Thaçin e Kosovës me dhjetë vjet burg.
Për 1 arsye të vetme: Sepse Hashim Thaçi nuk zgjodhi zgjedhën, por rezistencën e armatosur kundër robërisë.
Sot, në Hagë, nuk u dënuan mizorisht katër individë; Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Përmes gjuhës së përdorur dhe rrëfimit politik u dënua ajo çka në fakt për shqiptarët dhe botën mbarë, pavarësisht si e formuluan, ishte një ndërmarrje çlirimtare.
Një gjykatë mund të përcaktojë përgjegjësi individuale. Por nuk mund ta rishkruajë si projekt kriminal luftën e një populli për liri. UÇK-ja ishte përgjigjja ndaj dhunës shtetërore serbe dhe themeli mbi të cilin u ndërtua liria e Kosovës.
Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës duhet të miratojnë menjëherë një rezolutë të përbashkët që mbron të vërtetën historike të luftës çlirimtare dhe kundërshton çdo përpjekje për fajësi të UÇK-së dhe të një populli të tërë./ET
