Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, ka zhvilluar një takim në Karakas me një delegacion diplomatësh që do të udhëtojë drejt Uashingtonit për të nisur procesin e rivendosjes së marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.
Ky zhvillim vjen pas një marrëveshjeje historike mes dy vendeve për rikthimin e lidhjeve diplomatike dhe konsullore, të ndërprera që prej vitit 2019.
Delegacioni venezuelian është ngarkuar me detyrën për të rindërtuar kanalet e komunikimit me autoritetet amerikane, si dhe për të përmirësuar pozicionin ndërkombëtar të vendit.
Një tjetër objektiv kyç është arritja e marrëveshjeve në sektorë strategjikë si energjia, tregtia dhe investimet, në një kohë kur Venezuela synon rimëkëmbjen ekonomike dhe tërheqjen e kapitalit të huaj.
Po ashtu, diplomatët do të punojnë për rifillimin e shërbimeve konsullore për qytetarët venezuelianë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, përfshirë pajisjen me pasaporta dhe legalizimin e dokumenteve.
Rivendosja e marrëdhënieve mes Karakasit dhe Uashingtonit shihet si një hap i rëndësishëm drejt stabilizimit politik dhe ekonomik të vendit, si dhe drejt një faze të re bashkëpunimi ndërkombëtar./mxh
