Last Updated on 19/07/2025 by adminfjala
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e ndodhur këtë të shtunë në Ksamil, ku shtetasi Agim Taraj dhunoi barbarisht pronarin e një prej hoteleve të zonës.
Burime për mediat bëjnë me dije se i dhunuari, Albert Pashaj, rezulton të jetë pronari i hotelit “Euro Hotel Ksamil”, ndërsa agresori, i cili rezulton të jetë i dënuar më herët për trafik droge, është pronari i “Sunset Resrtorant Ksamil”.
Deri më tani dyshohet se ngjarja e cila u regjistra brenda hotelit të Pashajt erdhi si pasojë e një konflikti të hershëm mes dy pronarëve për shkak të vendosjes së çadrave dhe kontrollit të hapësirës së plazhit përballë subjekteve të tyre.
Madje nga një tjetër video e cila është duke qarkulluar në rrjet kuptohet se ngjarja e sotme nuk ka qenë e vetmja, pasi dy rivalët në biznes kanë dhunuar dhe më herët njëri-tjetrin.
Në pamjet e mëposhtme shihet Albert Pashaj dhe Agim Taraj, teksa godasin njëri-tjetrin me grushte. Situata neutralizohet nga persona të tjerë të cilët ndërhyjnë për t’i ndarë.
Kujtojmë se ngjarja e sotme u regjistrua rreth orës 12:45 në një prej zonave më të frekuentuara të bregdetit shqiptar. Agim Taraj dhunoi barbarisht në sy të fëmijëve të mitur dhe pushuesve pronarin e hotelit “Euro Hotel Ksamil”.
Si pasojë ky i fundit mbeti i plagosur dhe aktualisht ndodhet në spital duke marrë ndihmë mjekësore, ndërkohë që Taraj u shoqërua në Komisariat. m.p.
