Last Updated on 25/06/2026 by Monika
Venezuela po përballet me një situatë dramatike pas dy tërmeteve të fuqishme, me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë, që sipas raportimeve kanë goditur pjesën veriore të vendit, duke shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesa dhe infrastrukturë.
Pamje tronditëse të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur ekipet e shpëtimit nxjerrin tre fëmijë të gjallë nga rrënojat e një godine të shembur. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë pa ndërprerje, ndërsa qindra efektivë të emergjencave, vullnetarë dhe banorë të zonave të prekura po punojnë kundër kohës për të gjetur të mbijetuar.
Sipas të dhënave të para zyrtare të cituara nga mediat ndërkombëtare, numri i viktimave ka arritur në të paktën 164 persona, ndërsa rreth 1 mijë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rëndohet më tej, pasi mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur.
Dëmet më të mëdha raportohen në kryeqytetin Karakas dhe në rajonin bregdetar të La Guaira, ku dhjetëra ndërtesa janë shembur plotësisht. Probleme serioze janë shënuar edhe në transport, me pezullimin e fluturimeve në aeroportin ndërkombëtar dhe ndërprerjen e shërbimeve të metrosë dhe hekurudhave.
Situata është përkeqësuar edhe nga ndërprerjet e energjisë elektrike dhe të telekomunikacioneve, duke vështirësuar komunikimin mes qytetarëve dhe autoriteteve.
Qeveria venezueliane ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa organizatat humanitare po bëjnë thirrje urgjente për ndihma, strehim të përkohshëm, ujë të pijshëm dhe furnizime mjekësore.
Orët në vijim konsiderohen vendimtare për fatin e mijëra personave që mund të ndodhen ende nën rrënoja./mxh
