Last Updated on 15/12/2025 by Monika
Që prej 3 janarit të këtij viti, është kthyer në rutinë, që kryedemokrati Sali Berisha paraqitet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion, në kuadër të masës së sigurisë ndaj tij për dosjen “Partizani”.
Ai futet brenda godinës së SPAK, lë një shënim për drejtuesin në largim të kësaj strukture, Altin Dumani, dhe thuajse gjithnjë mban një komunikim të gjatë për gazetarët.
Edhe sot, 15 dhjetor, ai mbërriti në Prokurorinë e Posaçme, i shoqëruar nga avokati Genc Gjokutaj. Nuk harroi as përshëndetjen e tij me dy gishtat lart. Pas shumë pak minutash, doli në prononcim për mediat.
Këtë herë, fjalën e tij, e nisi me përplasjen e fundit mes kryeministrit Edi Rama dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), sa i takon një episodi të ndodhur më 20 nëntor në godinën e Këshillit të Ministrave.
“Patllake të vërteta nuk do të ketë se na e tmerruan kryeministrin. E morët vesh apo jo?! Se e kishte mbajtur të fshehtë 20 e ca ditë!”, tha me ironi kryetari i Partisë Demokratike.
Vlen të theksohet se çështja në ngarkim të tij dhe të të pandehurve të tjerë, është në fazën e parashtrimit të kërkesave për provat shkresore./mxh
