Last Updated on 04/11/2026 by EL
Virozat vijojnë të jenë të përhapura prej disa javësh, duke prekur një numër të konsiderueshëm qytetarësh. Situata paraqitet veçanërisht e ngarkuar në Pediatrinë e Elbasanit, ku mësohet se gjatë 24 orëve paraqiten të paktën 100 fëmijë, ndërsa fluksi gjatë fundjavave është edhe më i lartë.
Paralelisht është rritur dhe numri i shtrimeve. Shefja e Pediatrisë, Irena Palloshi, shprehet se ndodhemi në një periudhë të ngarkuar, ndaj u bën apel prindërve të tregojnë kujdes të shtuar për shëndetin e fëmijëve.
Mjekja këshillon që fëmijët e sëmurë të mos frekuentojnë përkohësisht institucionet arsimore. Vëmendje e veçantë, sipas saj, duhet t’u kushtohet të porsalindurve. Për të shmangur mbingarkesën e panevojshme të Pediatrisë, ajo këshillon prindërit që në rastet kur gjendja e fëmijëve nuk paraqitet e rënduar, fillimisht t’u drejtohen mjekëve të familjes.
Ndërkohë, fluks i shtuar pacientësh raportohet edhe në Urgjencën e të Rriturve. Më të prekurit nga virozat janë personat që bëjnë pjesë në grupet e riskut, të cilët këshillohen të tregojnë kujdes të veçantë./ET
