Last Updated on 14/09/2026 by Anisa
Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita këtë të hënë ka uruar të gjithë nxënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor. Hita thekson se Policinë e Shtetit do të kujdeset që rrugëtim i nxënësve të jetë i sigurt. Ai theksoi se me sigurinë e fëmijëve nuk bëjnë kompromis dhe nuk pushojnë.
“Të dashur nxënës, të nderuar mësues dhe prindër, Çdo fillim viti shkollor sjell një energji të veçantë. Oborret e shkollave mbushen sërish me fëmijë e të rinj, me emocionet e takimeve, me pritshmëri dhe me ëndrra të reja, ndërsa për prindërit interesimi për sigurinë dhe rezultatet në mësime.
Sot, për nxënësit nis një tjetër rrugëtim drejt dijes, ndërsa për ne, Policinë e Shtetit, nis një përgjegjësi edhe më e madhe: të kujdesemi që ky rrugëtim të jetë i sigurt, sepse për sigurinë tuaj nuk bëjmë kompromis dhe nuk pushojmë.
Nëse diçka ju shqetëson, flisni, sepse zëri juaj ka shumë rëndësi për ne. Na priftë e mbara dhe paçi një vit shkollor të suksesshëm e të sigurt”, u shpreh Hita./ad
