Ndërsa grupi Volkswagen vazhdon të lidhet me planet e riorganizimit, të cilat sipas zërave dhe vlerësimeve që kanë qarkulluar gjatë muajve të fundit mund të përkthehen në shkurtimin e dhjetëra mijëra vendeve të punës, në një nga fabrikat e tij ka mbërritur një “valë e pazakontë punësimesh”.
Nuk bëhet fjalë për punëtorë apo teknikë të rinj, por për 100 dele, të cilat janë ngarkuar me një detyrë shumë të veçantë: të mbajnë nën kontroll bimësinë që rritet poshtë një prej impianteve fotovoltaike industriale “on-site” më të mëdha në Evropë.
Pas ironisë së këtij kontrasti fshihet një projekt agrivoltaik, që synon të bashkojë prodhimin e energjisë së rinovueshme, mbrojtjen e biodiversitetit dhe kërkimin shkencor.
Projekt Volkswagen-it preston një qasje agrivoltaike që zëvendëson kositjen mekanike të barit me kullotjen e kontrolluar të kafshëve.
100 delet, që i përkasin racës autoktone polake Wielkopolska, kullosin mes më shumë se 31.000 moduleve fotovoltaike, duke e mbajtur bimësinë në një lartësi të përshtatshme pa përdorur makineri të posaçme.
Panelet u ofrojnë gjithashtu zona me hije dhe mbrojtje nga kushtet atmosferike, duke krijuar kushte më të favorshme gjatë muajve më të nxehtë të vitit.
Sipas Volkswagen-it, kjo nismë përfaqëson një shembull se si një infrastrukturë energjetike mund të kryejë funksione që shkojnë përtej prodhimit të thjeshtë të energjisë elektrike, duke kontribuar edhe në mbrojtjen e biodiversitetit dhe në mbështetjen e aktiviteteve bujqësore lokale.
Impianti shërben gjithashtu si terren prove për një nga studimet e para të këtij lloji në Poloni, të realizuar në një park të madh fotovoltaik.
Studiuesit e Universitetit të Shkencave të Jetës në Poznań po analizojnë ndikimin e sistemit agrivoltaik mbi mirëqenien e kafshëve, mikroklimën, tokën dhe bimësinë, duke vlerësuar veçanërisht nëse hija e krijuar nga panelet mund të ulë stresin nga nxehtësia te delet dhe të përmirësojë kushtet e tyre të jetesës.
Objektivi i këtij kërkimi është të identifikojë mënyrat më efikase për të integruar prodhimin e energjisë së rinovueshme me përdorimin bujqësor të tokës, duke maksimizuar njëkohësisht përfitimet mjedisore dhe ato operacionale./mxh
