Last Updated on 13/10/2026 by Monika
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dënoi sot sulmet me dronë ndaj dy anijeve tregtare në Detin e Zi, pranë bregdetit të Bullgarisë, duke paralajmëruar se këto incidente rrezikojnë jetën e ekuipazheve dhe sigurinë në rajon, sipas AP.
“Deti i Zi është bërë një tjetër front i përshkallëzimit të luftës së Rusisë në Ukrainë. Kjo është e papranueshme. I dënoj fuqimisht sulmet me dronë ndaj anijeve tregtare pranë bregdetit bullgar. Ato vënë në rrezik të madh jetën e anëtarëve të ekuipazheve dhe kërcënojnë sigurinë në Detin e Zi”, tha Von der Leyen.
“Ne qëndrojmë në krah të Bullgarisë dhe falënderojmë ekipet e shpëtimit për reagimin e shpejtë. Përgjegjësit duhet të japin llogari”, shtoi ajo.
Sulmet ndodhën gjatë natës së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Sipas autoriteteve bullgare, njëra prej anijeve u godit nga tre dronë, ndërsa një anije e dytë u godit pak më vonë dhe u mbyt.
Anija tregtare “Chelsea 3”, e regjistruar me flamurin e Maltës dhe në pronësi ukrainase, u godit nga tre dronë ajrorë.
Të 15 anëtarët e ekuipazhit, shtatë shtetas ukrainas dhe tetë shtetas azerbajxhanas, u evakuuan dhe u dërguan në portin e Varnës. Pesë prej tyre morën ndihmë mjekësore.
Anija tjetër, “HS Dignity”, që lundronte me flamurin e Guinesë-Bisau, u mbyt pranë fshatit Krapets, në veri të bregdetit bullgar, afër kufirit me Rumaninë.
Pesë anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan, ndërsa 11 të tjerë rezultonin të zhdukur në det.
Kryeministri bullgar, Rumen Radev, e cilësoi sulmin të papranueshëm dhe tha se vendi i tij nuk kishte prova përfundimtare për të përcaktuar se kush qëndronte pas tij.
Megjithatë, ai vuri në dukje se pasojat e sulmeve ishin në favor të Rusisë.
Radev njoftoi gjithashtu se do të thërriste ambasadoren ruse për bisedime në Sofje.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, fajësoi Rusinë për sulmet, duke deklaruar se ato tregonin shpërfillje të qëllimshme për jetën e civilëve dhe sigurinë detare në Detin e Zi.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Aleanca do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me vendet aleate në rajonin e Detit të Zi dhe do të përshtatë praninë e saj ushtarake në krahun lindor sipas nevojës.
Radev zhvilloi biseda telefonike me von der Leyen dhe Rutte, duke kërkuar mbështetjen e tyre për forcimin e mbikëqyrjes së hapësirës ajrore dhe ujërave detare bullgare.
Ministrat e Mbrojtjes të Bullgarisë, Rumanisë dhe Turqisë diskutuan gjithashtu situatën e sigurisë në rajon.
Incidentet e fundit shtojnë shqetësimet për përhapjen e pasojave të luftës Rusi–Ukrainë në transportin tregtar në Detin e Zi.
Sulmet ndaj anijeve civile janë shtuar gjatë muajve të fundit, duke rritur rreziqet për ekuipazhet dhe tregtinë detare.
Javën e kaluar, një tjetër sulm me dronë në zonën ekskluzive ekonomike të Bullgarisë në Detin e Zi shkaktoi mbytjen e një anijeje dhe zhdukjen e 10 marinarëve, nëntë sirianë dhe një egjiptian.
Edhe në atë rast, autoritetet nuk kishin përcaktuar përfundimisht përgjegjësinë për sulmin.
Bullgaria, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ndodhet në bregun perëndimor të Detit të Zi, një korridor i rëndësishëm për transportin e mallrave dhe grurit.
Përshkallëzimi i sulmeve ndaj anijeve tregtare po shton shqetësimet për sigurinë e lundrimit dhe furnizimet ushqimore ndërkombëtare./mxh
