Anthropic, SpaceX dhe SK Hynix, tre kompani që tërhoqën vëmendje të madhe me debutimin e tyre në Wall Street, po përballen me rënie të ndjeshme të aksioneve, pas rritjes së fortë në ditët e para të tregtimit.
Prodhuesi koreano-jugor i gjysmëpërçuesve SK Hynix shënoi një rritje prej 13% në ditën e debutimit, SpaceX prej 20%, ndërsa Anthropic prej 17%. Megjithatë, entuziazmi fillestar u zbeh shpejt dhe aksionet ranë nën çmimin fillestar, përkatësisht me 31%, 14% dhe 6%.
Një nga arsyet kryesore lidhet me sasinë e kufizuar të aksioneve të ofruara për investitorët. Në bursë u vendosën vetëm 7.2% e kapitalit të Anthropic, 4.2% e SpaceX dhe 2.5% e SK Hynix.
Tronditet tregu global i teknologjisë, triliona dollarë humbje pas fitores së demokratëve në SHBA
Kjo krijoi kërkesë të lartë në ditët e para, duke nxitur rritjen e çmimeve, por edhe rrezikun e mbivlerësimit të kompanive.
Presion shtesë mbi tregun po ushtron edhe pasiguria për të ardhmen e industrisë së inteligjencës artificiale.
Sipas parashikimeve të Gartner, investimet në infrastrukturën e AI-së mund të arrijnë në 7 trilionë dollarë deri në vitin 2030, ndërsa të ardhurat e sektorit vlerësohet të jenë rreth 3.6 trilionë dollarë. Ky hendek ka shtuar shqetësimet nëse investimet gjigante do të sjellin fitime të mjaftueshme.
Problemi bëhet edhe më i dukshëm për Anthropic dhe SpaceX, të cilat, pavarësisht vlerësimeve të larta në bursë, kanë të ardhura shumë më të ulëta se gjigantët si Amazon dhe Google.
Të dyja kompanitë pritet të realizojnë rreth 50 miliardë dollarë të ardhura, ndërsa kanë marrë përsipër angazhime të mëdha shpenzimesh për vitet e ardhshme.
Për të financuar zgjerimin dhe investimet, ato mund të kenë nevojë për kapital të ri, përmes emetimit të aksioneve ose marrjes së borxheve. Të dyja alternativat mund të sjellin pasoja për investitorët ekzistues, qoftë përmes uljes së pjesës së tyre të pronësisë, qoftë përmes rritjes së kostove financiare.
Një tjetër faktor është edhe vlerësimi tepër i lartë me të cilin këto kompani kanë hyrë në bursë. Ndryshe nga Nvidia dhe Amazon, të cilat u listuan në treg me vlera relativisht të ulëta dhe patën dekada për t’u rritur, Anthropic dhe SpaceX e nisën rrugëtimin në Wall Street me kapitalizime gjigante.
Kjo kufizon hapësirën për rritje të mëtejshme dhe e bën më të vështirë sigurimin e fitimeve të krahasueshme me ato të gjigantëve të teknologjisë.
Rënia e aksioneve nuk nënkupton domosdoshmërisht një krizë për këto kompani, por tregon se entuziazmi për inteligjencën artificiale dhe teknologjinë nuk mjafton më për të justifikuar çdo vlerësim.
Investitorët po kërkojnë gjithnjë e më shumë prova konkrete se të ardhurat dhe fitimet do të mund të mbështesin investimet dhe pritshmëritë e mëdha të tregut./mxh
