Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë e regjistruar në një lokal nate në Ksamil, ku mbeti i vrarë një 20-vjeçar portugez pas një konflikti fizik.
Turisti francez Adib Ghanmi, mik i viktimës, ka dhënë dëshminë e tij para uniformave blu, duke sqaruar dinamikën e plotë të sherrit që nisi pas mbylljes së festës. Sipas dëshmisë, grupi prej shtatë turistësh kishte zbritur në zonën e plazhit për të pushuar, kur në drejtim të tyre u afrua një shtetas shqiptar, i veshur me pantallona të shkurtra jeshile, i cili fliste frëngjisht.
Pas një debati, ky person ka fyer nga nëna njërin prej turistëve dhe e ka goditur me kokë, duke bërë që situata të acarohet menjëherë mes të dyja grupeve.
“Isha me shokët e mi, ishim shtatë persona dhe po festonim në club Principote. Pasi mbaroi festa, ne po qëndronim në plazh. Aty ka ardhur një person, i cili ishte veshur me rroba të shkurtra me ngjyrë jeshile, i moshës 25-30 vjeç, trup normal, flokë të shkurtra, i cili ishte shqiptar, por fliste frengjisht dhe ofendoi nga nëna një shokun tim, i cili i thotë që: pse më shan, se nëna është e shenjtë. Ky person e goditi me kokë, ne u futëm të gjithë në konflikt.
Më pas erdhi një person që ishte i veshur me rroba të bardha, me flokë të gjata, i cili mbante një thikë në dorë dhe fillimisht ka qëlluar një shokun tim i quajtur Tourpal me thikë më këmbë dhe më pas ka goditur edhe shokun tjetër, i cili u vra me thikë ne zemër dhe në këtë moment, filluan njerëzit të bërtisnin, dhe në drejtim kanë ardhur rreth 10-15 veta security. Një nga ata që qëlloi në drejtimin tonë, unë e kapa nga duart, por ai më shtyu dhe unë kam rënë në ujë”, u shpreh turisti nga Franca.
Ghanmi ka treguar se në konflikt është përfshirë edhe një person tjetër i veshur me të bardha dhe me flokë të gjata, i cili mbante një thikë në dorë. Ky i fundit ka plagosur fillimisht në këmbë njërin nga shokët e tyre të quajtur Tourpal, e më pas ka goditur për vdekje me thikë në zemër 20-vjeçarin portugez.
Në atë moment, sipas dëshmisë, në vendngjarje kanë ndërhyrë 10 deri në 15 efektivë sigurie ndërsa dëshmitari ka tentuar të ndalojë njërin nga agresorët, por është shtyrë dhe ka rënë në ujë.
“Aty ka ardhur një person, i cili ishte i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë gri që dinte të fliste pak frengjisht, i cili na thotë qetësohuni dhe na ka sharë nga nëna. Ai më pas goditi me kokë shokun tim Tourpal. Ne u përfshimë në konflikt. Gjatë konfliktit erdhën dhe persona të tjerë dhe kam parë një person të veshur me ngjyrë bezhë në të bardhë me flokë të gjata gështenjë me pak mjekër, i cili iu drejtua Tourpal-it me thikë dhe më pas ju drejtua Louis Miguel-it. Aty ka pasur shumë lëvizje e persona dhe nuk e kam parë momentin kur ka goditur Louis Miguel-in. Unë më pas i kam dhënë ndihmën e parë shokut tim duke i vendosur një bluzë të plaga”, ka treguar ai./ Kb
