Gazetari Artan Hoxha ka ngritur pikëpyetje mbi hetimet e SPAK për vrasjet e bujshme të vitit 2005, atë të Vajdin Lamës dhe Artan Arsit, duke vënë në diskutim nëse është zbardhur plotësisht skema e organizimit dhe ekzekutimit të atentateve. Hoxha kërkon të dihet kush dha urdhrin, kush financoi vrasjet dhe kush ishin autorët e vërtetë të ekzekutimeve, ndërsa shpreh rezerva për disa prej provave dhe dëshmive të përdorura në dosjen ndaj Emiljano Shullazit dhe të pandehurve të tjerë.
Hoxha u ndal edhe te koha kur rifilloi procesi hetimor, në vitin 2020, gati 16 vjet pas ngjarjes. Sipas tij, në atë moment nuk kishte një bashkëpunëtor bindës, i cili të ishte një prej ekzekutorëve të vërtetë të ngjarjes.
‘Në rastin e parë, bëhet fjalë për personin që ndodhet në makinën me të cilën u krye vrasja e Klodian Saliut. Klodian Saliu është vrarë në autostradë, në rrugën Durrës-Maminas, teksa po vinte drejt Tiranës. Ka qenë një makinë e vogël, ndërsa ky person është fizikisht i gjatë, me trup të madh. Kur e kam pyetur njëherë për këtë, gjatë një interviste, në atë kohë më tha: ‘Mirë, ka qenë ky në timon, po ne ku ishim? Se, po të ishte ky në timon, s’kishte vend për ne të tjerët’.
Përveç kësaj, janë edhe dy automatikë që do të qëllonin. Ndaj kujt? Të gjithë e dinë se Klodian Saliu ishte një njeri që, po t’i jepej pak kohë, mund të kundërvepronte. Ishte shumë i shpejtë. Gjithsesi, kjo është narrativa që ka ndërtuar SPAK-u.
Unë besoj se u shpreha qartë në pjesën e parë, kur thashë se si nisi ky proces. Pra, ai nisi në vitin 2020, gati 16 vjet pasi kishte ndodhur ngjarja, pa pasur një bashkëpunëtor bindës, një nga ekzekutorët e vërtetë të kësaj ngjarjeje.
Pika tjetër është përfshirja e agjencive të huaja në hetimin fillestar. Pse u përfshi FBI-ja në këtë hetim? U përfshi sepse nuk bëhej fjalë thjesht për një çështje të rëndomtë, për një larje hesapesh shqiptare. Sipas tyre, ishte një çështje pak më e ndërlikuar se kaq.
Më pas, fakti që nuk u arrit të provohej dhe që edhe sot nuk e kemi të qartë se kush e organizoi, kush dha urdhrin, kush financoi dhe kush i ekzekutoi Vajdin Lamën dhe Artan Arsin, tregon se ende nuk kemi një tablo të qartë. Janë dy viktima, ndërsa ky person tjetër është krejtësisht i pafajshëm në këtë histori.
Ne nuk kemi sot një fabul të qartë. Kjo dëshmon se hetimi ka pasur nevojë për të arritur në këtë përfundim. Edhe kërkesa përfundimtare për dënimet është po ashtu e çuditshme. Pse? Nëse ke qenë i përfshirë në këtë vrasje, dënimi është burgim i përjetshëm. Ka prova që është Shullazi? Ne e dinim që Shullazi ka tentuar ta ekzekutojë Vajdin Lamën. E dinim që ishin kundërshtarë dhe se, nëse do t’i jepej rasti, do ta eliminonte.
Por, a kishte mundësi të shkonte atje? A është i përfshirë? Kjo është më e rëndësishmja: a është i përfshirë në këtë ngjarje? Nëse është i përfshirë, nuk dënohet me 25 vjet. Ai do të shkojë në burgim të përjetshëm. Nuk ka 25 vjet aty.
Sigurisht që kjo ka një prapavijë. Kjo ngjarje ka një prapavijë. Por besoj se skena do të jetë më e qartë kur të dalë vendimi i Gjykatës. Nëse do të shohim që Gjykata, bazuar në këto elemente që nuk përputhen, do të miratojë kërkesën e SPAK-ut apo do të japë një vendim tjetër, atëherë do të duket qartë interferimi politik i drejtpërdrejtë në këtë ngjarje.’, u shpreh gazetari Artan Hoxha.
SPAK paraqiti pretencën më 9 nëntor 2026, duke kërkuar gjithsej 158 vite burg për shtatë të pandehurit, për vrasjet e vitit 2005 të Klodian Saliut dhe të Vajdin Lamës e Artan Arsit.
Dënimet e kërkuara nga SPAK
Emiljano Shullazi 25 vite
Lulzim Berisha 25 vite
Plaurent Dervishaj 25 vite
Viktor Bajraktari (Imeraj) 25 vite
Indrit Taullai 25 vite
Indrit Rusi 25 vite
Luftar Reçi 8 vite
Sipas akuzës, vrasja e Vajdin Lames dhe Artan Arsit (27 shkurt 2005) u realizua nga personat e përfshirë në këtë grup kriminal. Në këtë ngjarje akuzohen Shullazi, Berisha, Dervishaj, Taullai, Bajraktari, Reçi dhe Rusi.
Vrasja e Klodian Saliut (26 shkurt 2005): Prokuroria akuzon Lulzim Berishën, Plaurent Dervishajn, Indrit Taullain, Luftar Reçin dhe Indrit Rusin për përfshirje në atentatin në autostradën Durrës–Tiranë./SHEKULLI -ad
