Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, deklaroi se plani i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duhet parë si një listë çështjesh që kërkojnë diskutim urgjent mes Ukrainës dhe Rusisë, dhe jo si një plan përfundimtar.
“Unë ende e konsideroj atë një listë çështjesh që duhet të diskutohen me urgjencë midis Ukrainës dhe Rusisë, jo një plan përfundimtar. Mirëpres faktin që Shtetet e Bashkuara po përpiqen t’i ulin dy palët në tryezën e bisedimeve,” tha Wadephul.
Ai theksoi se pozicioni gjerman është pozicioni evropian, mbështetje e plotë për Ukrainën. “Ne duam të sigurojmë që Ukraina t’i diskutojë këto pika nga një pozicion force. Dhe është Ukraina ajo që duhet të vendosë se çfarë kompromisesh mund të bëjë, njësoj siç duhet ta bëjë edhe Rusia nga ana e saj. Ne nuk jemi arbitra, por avokatë të Ukrainës, sepse Ukraina po mbron lirinë e saj dhe lirinë e Evropës,” deklaroi ai nga Brukseli, ku po merr pjesë në takimin ministror për Indo-Paqësorin./MXH
