Bashkimi Evropian do të mbështesë çdo plan paqeje për Ukrainën, për sa kohë që ai sjell paqe të drejtë dhe të qëndrueshme dhe hartohet me përfshirjen e plotë të Ukrainës dhe vetë BE-së. Kështu deklaroi të premten shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
“Ne mbështesim çdo plan që sjell paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Sa i përket planit të paqes me të cilin, siç kuptojmë, është njohur Presidenti Zelenski, ne kemi thënë gjithmonë se çdo plan për të funksionuar duhet të jetë me Ukrainën dhe evropianët në bord,” tha Kallas në një fjalim në Bruksel.
Deklaratat u bënë ndërsa ministrat evropianë u mblodhën për takimin e radhës për Indo-Paqësorin, një forum ku diskutohen sfidat globale të sigurisë dhe qëndrimet e përbashkëta të BE-së në arenën ndërkombëtare./MXH
