Puna në distancë po e zbeh gjithnjë e më shumë kufirin mes zyrës dhe udhëtimit. Për ata që mund ta marrin laptopin me vete, një “workcation” ofron mundësinë për të zëvendësuar zyrën me një kafene në Paris, një tarracë në Lisbonë apo një hapësirë bashkëpunimi në Londër, pa hequr dorë plotësisht nga puna.
Por jo çdo qytet evropian është njësoj i përshtatshëm për të punuar gjatë pushimeve. Një renditje e re nga Compare the Market ka analizuar qytete në Evropë dhe në mbarë botën, duke i krahasuar sipas faktorëve si shpejtësia e internetit, numri i hapësirave coworking, kostot e akomodimit, atraksionet turistike dhe çmimet e kafesë dhe birrës.
Qytetet janë vlerësuar me një pikëzim deri në 100, bazuar në atë se sa të përshtatshme janë për një “workcation”, pra një kombinim mes punës në distancë dhe pushimeve.
Parisi kryeson listën
Parisi renditet i pari ndër qytetet evropiane, me një rezultat prej 63.4 pikësh nga 100. Kryeqyteti francez ka shpejtësinë më të lartë të shkarkimit për internetin fiks në Evropë dhe ofron gjithashtu shpejtësi të mira të internetit celular.
Përtej infrastrukturës digjitale, Parisi ka një avantazh të dukshëm në aspektin turistik. Qyteti ka një numër të madh muzeumesh, galerish dhe monumentesh dhe renditet i dyti për numrin e atraksioneve në studim, pas Romës.
Problemi kryesor është kostoja. Akomodimi dhe kafeja janë ndër më të shtrenjtat në renditje, duke e bërë Parisin një destinacion tërheqës për punë në distancë, por jo domosdoshmërisht ekonomik.
Lisbona, alternativa më e leverdishme
Në vendin e dytë renditet Lisbona, me 61.2 pikë. Kryeqyteti portugez spikat veçanërisht për raportin mes kostos dhe cilësisë së jetesës. Sipas studimit, një apartament për një muaj mund të kushtojë vetëm 237 euro, duke e bërë Lisbonën qytetin europian më të lirë të renditjes për akomodim.
Edhe kafeja mbetet relativisht e përballueshme, me një çmim mesatar prej 2.55 eurosh për një kapuçino. Lisbona kombinon gjithashtu internet të shpejtë, një kulturë të zhvilluar kafesh dhe një komunitet në rritje të profesionistëve që punojnë në distancë.
Moti me diell dhe mundësia për të punuar nga një kafene apo tarracë në qendër të qytetit e bëjnë Lisbonën një prej destinacioneve më bindëse për “workcation” në Europë.
Londra në vendin e tretë
Londra renditet e treta me 60 pikë, kryesisht falë infrastrukturës së saj për punën në distancë dhe numrit të madh të aktiviteteve jashtë orarit të punës. Qyteti ka 562 hapësira coworking, më shumë se dyfishi i Barcelonës, e cila renditet e dyta për këtë tregues.
Edhe pas përfundimit të punës, Londra ofron një numër të madh mundësish për argëtim. Studimi regjistroi 4,450 atraksione në TripAdvisor, nga muzetë dhe galeritë te monumentet historike, teatrot dhe tregjet. Por edhe këtu kostoja është pengesa kryesore. Akomodimi dhe birra janë të shtrenjta, ndërsa një kapuçino kushton mesatarisht 4.80 euro, duke e renditur Londrën ndër qytetet më të kushtueshme për një pushim pune.
Qytetet më të këqija për “workcation”
Në skajin tjetër të renditjes ndodhet Salzburgu në Austri, me vetëm 10 pikë nga 100. Edhe pse qyteti është një prej destinacioneve më piktoreske të Europës dhe i njohur për lidhjen e tij me filmin The Sound of Music, kostot e larta e penalizojnë ndjeshëm.
Qiraja më e lirë për një apartament njëmujor arrin në 2,211.41 euro, niveli më i lartë në të gjithë renditjen.
Salzburgu ka gjithashtu vetëm shtatë hapësira coworking, numri më i ulët mes destinacioneve të analizuara. Edhe shpejtësitë e internetit nuk janë ndër më konkurrueset. Për këtë arsye, qyteti mund të jetë një zgjedhje e mirë për pushime, por jo për ata që duhet të punojnë gjatë qëndrimit.
Mynihu dhe Hamburgu në fund të renditjes
Mynihu renditet i parafundit, me vetëm 20 pikë nga 100. Edhe pse qyteti bavarez njihet për efikasitetin dhe organizimin, infrastruktura e internetit nuk është ndër më të mirat. Gjermania ka shpejtësinë e tretë më të ulët të internetit fiks dhe shpejtësinë e dytë më të ulët të internetit celular në studim.
Edhe akomodimi është i kushtueshëm: apartamenti më i lirë për një muaj kushton rreth 1,437 euro. Hamburgu ka një rezultat pak më të mirë, me 23 pikë, por mbetet në mesin e destinacioneve më pak të përshtatshme për “workcation”.
Edhe ky qytet penalizohet nga shpejtësitë relativisht të ulëta të internetit dhe kostot më të larta të jetesës. Megjithatë, është më ekonomik se Mynihu: një apartament njëmujor mund të gjendet për rreth 889 euro, ndërsa qyteti ka 81 hapësira coworking./ad
