Pentagoni po shqyrton dërgimin e armëve që fillimisht ishin menduar për Ukrainën në Lindjen e Mesme , ndërsa lufta në Iran po shteron disa nga municionet më të rëndësishme të ushtrisë amerikane, raportoi sot Washington Post, duke cituar tre burime të njohura me çështjen.
Sipas raportit, armët që mund të devijohen përfshijnë raketa interceptuese , të cilat u blenë përmes një iniciative të NATO-s të nisur vitin e kaluar, sipas së cilës vendet partnere blejnë armë amerikane për Kievin.
Shqyrtimi i kësaj mundësie vjen ndërsa operacionet e SHBA-së në rajon intensifikohen. Admirali Brad Cooper , kreu i Komandës Qendrore, e cila udhëheq forcat amerikane në Lindjen e Mesme, tha të mërkurën se SHBA-të kanë goditur më shumë se 10,000 objektiva brenda Iranit dhe po kufizojnë aftësinë e Iranit për të projektuar fuqi përtej kufijve të tij.
Një zëdhënës i Pentagonit i tha WP se Departamenti i Mbrojtjes do të “sigurohet që forcat amerikane dhe ato të aleatëve dhe partnerëve tanë të kenë atë që u nevojitet për të luftuar dhe për të fituar”.
