Last Updated on 05/04/2025 by adminfjala
Nga: Bujar Meholli
Përbrenda Epokës së Xhazit që shënjoi dekadën e dytë të shekullit të kaluar shquhet emri i Glenn Miller-it ndër figurat prominente që xhazin e kanalizoi në interpretimet e Big Band-it me një stil unik. Me finesë interpretimi Miller-i bëhet orkestruesi kyç i epokës me kompozimet legjendare In the Mood apo Moonlight Serenade që e precizojnë xhazin si tingull elegant, të lëmuar e harmonik, aq sa kompozimet e prekura nga dora e Miller-it morën emrin pompoz tingulli Miller, ato shquhen për variacionet dinamike, ritmin e pasur, sinjifikativ dhe të saktë. Itinerari i xhazit të Miller-it u shtri përgjatë një audience masive, regjistrimet e tij u shitën në miliona kopje dhe vërshuan të gjitha radiot amerikane e më gjerë duke e shndërruar Miller-in dhe orkestrën e tij në një brend tejet të suksesshëm xhazi. Xhazi që shihej si formë subversive muzikore e blatuar në një prirje eksperimentale, në orkestrën e Miller-it mori formë tjetër që skalittet me një tingull elegant, të ngrohtë e të lëmuar – të përshtatshëm për mbrëmje vallëzimi e ndeja elegante, glamuroze.
Glenn Miller-i, trombonist brilant, mëton transformimin unik të zhanrit muzikor xhaz duke e përcaktuar inkorporimin e swingut që i ofron mundësinë e precizimit të stilit dhe krijimin e një tingulli krejt unik, të saktë e të matur – qoftë kur ritmi dalldiset e bëhet më energjik, më swing, qoftë kur bëhet më delikat e subtil si te Moonlight Serenade që sikur e shënjon krejt epokën e Jazz-Swingut me gjithë kompleksitetet sociopolitike e kulturore. Xhazi i Miller-it nuk presupozon improvizimin dhe spontanitetin lirik, kompozimet e tij janë të matura, kohezive, përgjithësisht të organizuara me përpikëri, me një instrumentim të ekuilibruar. Janë të shquar tingujt e trombonit në sfond që rezonojnë kompozimet duke u bërë pjesë thelbësore e identitetit të tij muzikor. Jazz-Swingu i Miller-it adapton një qasje të përkorë muzikore ku theksohen lëvizjet ritmike që e ravijëzojnë groove-in tejet të përshtatshëm për pistën e vallëzimit. Kjo është deviza e xhazit të Glenn Miller-it i cili e pleks korpusin muzikor me kompozime diatonike, lehtë të identifikueshme që pikasen dhe ngelen gjatë në memorie; ndaj orkestra e tij u shndërrua në një markë xhazi me sukses të jashtëzakonshëm komercial. Kompozimet e Glenn Miller-it dhe orkestrës së tij shënjojnë kulmin e aranzhimeve xhaz, tingujt shtrihen me qartësi të admirueshme, kontroll dinamik dhe larushi ritmike të swingut. Kujdesi për ta shquar veçan tingullin e trombonit e bëri kompozimin millerian të rafinuar dhe unik në llojin e vetë; kjo harmoni xhazi e bëri Glenn Miller-in figurë qëndrore të Jazz Epoque dhe ndër emrat më eminentë në histori të Big Band-it.
Muzika e Glenn Miller-it pati impakt të madh përgjatë Luftës II Botërore ngase pasqyroi frymën, shpirtin e kohës, idealet, dhe ngriti moralin në luftën frontale kundrejt forcave të errëta, ksenofobe e diskriminuese-dehumanizuese. Përtej xhazit, kompozimet e Miller-it u bënë simbol i patriotizmit, unitetit, e mbështetjes humane. Glen Miller-i ishte oficer në Forcat Ajrore të Ushtrisë Amerikane ku bëri muzikën e tij duke u shndërruar në atin e grupeve moderne ushtarake ngase Orkestra e Forcave Ajrore që krijoi u bë pararendëse e grupeve muzikore ushtarake amerikane. 15 dhjetori i 1944 ka hyrë në histori si datë e kobshme ngase gjatë një fluturimi mbi Kanalin Anglez, Miller-i u zhduk gjatë aksionit duke krijuar një nga ngjarjet më misterioze të shekullit të kaluar. Zhdukja e Miller-it ka prodhuar sërë teorish konspirative me narracione se ai ka vdekur në ndonjë bordello pariziene, se ka ardhur i gjallë, fshehurazi, në Amerikë, prej nga s’dihet gjë për vendndodhjen e tij apo se Glenn Miller-i ka qenë pjesë e një komploti të fshehur për ta rrëzuar qeverinë naziste me Hitlerin në krye, nga ka tentuar t’i takojë disidentët gjermanë për t’iu kumtuar mesazhe sekrete; teori të tilla, herë tjera, hedhnin idenë se Miller ishte spiun qeveritar me mesazhe të koduara politike. Konspiracionet mbi zhdukjen e Miller-it gëlojnë ngase çështja e tij ngelet e pazbardhur… ishte pikërisht koha kur Miller-i gëzonte kulmin e famës në Angli prej nga përgjatë fluturimit drejt Francës humbi gjurmët… Miller u largua nga Londra vetëm një natë para se goditjet hakmarrëse të Hitlerit ta shkatërronin, në Chelsea, godinën ku qe vendosur dhe ku u vranë afër 30 ushtarakë amerikanë dhe u plagosën shumë civilë. Xhazi i Miller-it nga eksponentë nazistë shihej si i rrezikshëm ngase, sipas tyre, i kishte rrënjët te ritmet afrikane, dhe kjo muzikë subversive s’përshtatej me idealet naziste.
Gjersa retë e luftës po dendësoheshin, Glenn Miller-i – patrioti i madh amerikan i cili kishte arritur famë masive, bile me raste histerike, dhe kërkohej e dëgjohej me të madhe nëpër kafenetë e bar-restorantet prestigjioze njujorkeze si Cafè Rouge e shumë të tjera – po qante hallin e popullit të tij ngase kërcënimi japan, takimi Churchill-Roosevelt, përparimi i Hitlerit, e kishin sjellë tashmë ndryshimin evident sociopolitik – drejtuesi i famshëm i orkestrës së xhazit që gjatë operacionit të Forcave Ajrore u zhduk, veç krijimtarisë së paçmuar muzikore brenda një karriere jo të gjatë, u bë figurë unifikuese dhe pikë reference për sharmin dhe elegancën euro-perëndimore që po rrezikohej ndjeshëm duke u zëvendësuar, në horizont, nga barbaria e një shpirti dekadent, të egër, kanosës ndaj vlerave mbi të cilat qe ndërtuar fryma perëndimore liberale. Glenn Miller-i konsiderohet një artist me famë të pacak në kohën e tij, afishet kudo ia stamponin emrin, sallat e vallëzimit ishin dëng me damat në krinolinë, pijet lumë dhe gjëmimet e trombonit… kompozimet legjendare si In the Mood, Moonlight Serenade, Pennsylvania 6-5000, Kalamazoo, I Know Why, Chattanooga Choo Choo, Over the Rainbow, Moon Love, St. Louis Blues March kishin tejkaluar caqet e famës duke e shndërruar Miller-in në patriarkun e Jazz-Swingut dhe salloneve të vallëzimit. Nga kritikë muzikorë, kompozimet e Glenn Miller-it stampojnë një komercializëm konsumerist i cili për ta ruajtur statuskuonë e famës dhe lavdisë nuk presupozon eksperimentin dhe improvizimin në stilin e lojës xhaz, por adapton matjet rigoroze dhe harmoninë lineare si pjesë të trashëgimisë muzikore të një xhazi lehtë të identifikueshëm dhe tepër të suksesshëm komercialisht. Trashëgimia muzikore e Miller-it është e pasur dhe plekset me jetën ushtarake, zhvillimet e hovshme politike-kulturore të një periudhe të tendosur kur muzikoi trombonisti legjendar, patrioti e moralizuesi ushtarak, një ndër figurat kryesore të historisë së shekullit XX.