Last Updated on 27/11/2025 by Leonard
Më 27nëntor 1942 u lind Xhimi Hendriks, rok-muzicient amerikan
Nga Leonard Veizi
Ka artistë që këndojnë a luajnë korrekt mbi skenë, dhe ka të tjerë që dinë ta ndezin atë. Por ka edhe një kategori krejt të rrallë: ata që, sapo marrin instrumentin në dorë, ndryshojnë vetë drejtimin e historisë së skenës a ndoshta të vetë muzikës. Xhimi Hendriks ishte pikërisht një i tillë. Një shpërthim dritash, ngjyrash dhe tingujsh që nuk u dëgjua kurrë më parë, një gjeni që e shndërroi kitarën në instrument qiellor, në vegël lirie, në armë tronditjeje artistike…
…Nuk është rastësi që revista “Rolling Stone” e shpalli “kitaristin më të madh të të gjitha kohërave”. Në listën e saj të pavdekshme, ai qëndron mbi gurët e rëndë të rokut: Erik Klepton, Xhimi Peixh, Kit Riçards, Xhef Bek, Bi.Bi. King e Çak Beri. “Hendriks bëri që ideja jonë mbi muzikën rok të shpërthente. Ai nuk e luajti vetëm kitarën – ai e shpiku sërish atë”, do të thoshte Tom Morello, duke kujtuar energjinë që përshkonte “Purple Haze” apo versionin elektrik të “Star-Spangled Banner” në Woodstock—një britmë e gjallë kundër luftës dhe konformizmit.
Lindja e një legjende
Xhejms Marshall Hendriks lindi më 27 nëntor 1942 në Sietëll. Që në moshën 13-vjeçare, kur mori në dorë kitarën e parë akustike, u pa se ai nuk po mësonte thjesht të luante—ai po gjente gjuhën me të cilën do t’i fliste botës. Shkolla u bë një stacion i shkurtër, ushttria një udhëkryq i gabuar. Shpirti i tij nuk e njihte uniformën; ai kërkonte lirinë që vetëm muzika mund t’ia jepte.
Fillimisht trokiti në dyert e skenave të vogla të bluzit, duke shoqëruar emra që nuk mbahen mend—por që ruajnë në histori fatin e mirë që një ditë mbi skenë kanë pasur një kitarist anonim me emrin Hendriks.
Nju Jorku ishte kapitulli i parë i madh. Londra ishte lindja e mitit. Aty u bë “Xhimi”, aty formoi The Jimi Hendrix Experience me Noel Redding dhe Mitch Mitchell, dhe aty publiku britanik u përball për herë të parë me një dukuri që sfidonte gravitetin e muzikës.
Shpërthimi i talentit
Vitit 1967 i takojnë dy prej monumenteve të artit modern: “Are You Experienced?” dhe “Axis: Bold as Love”. Albume që e shndërruan Hendriksin në ikonën e një brezi të tërë, në një profet të lirisë artistike dhe shpirtërore. Në duart e tij, kitarat digjeshin, përplaseshin, ulërinin. Tingujt e tij imitonin shpërthime, stuhitë, rrëketë e thella të shpirtit njerëzor. Ai thjesht nuk performonte. Ai transformonte. Ai thjesht nuk këndonte. Ai komunikonte.
Fundi i parakohshëm i një ylli
Pas shkëlqimit verbues fshihej një shpirt i trazuar dhe i brishtë. Hendriks lëvizte mes kulmeve të famës dhe humnerave të ankthit: konfliktet me menaxherët, varësia nga droga, marrëdhëniet shpesh të ndërlikuara. Natën e 17 shtatorit 1970, në apartamentin e Notting Hill, ai mori pilula gjumi që i përkisnin të dashurës së tij, Monika Dannemann. Në mëngjes e gjetën pa ndjenja. Në spital nuk mundën ta rikthenin. Ishte vetëm 27 vjeç, i njëjti numër që vulosi klubin e tragjedive të muzikës moderne.
Muzika e tij më e gjallë se kurrë
Xhimi Hendriks ishte një meteor: i shkurtër, i papërballueshëm, i paharrueshëm.
Në vetëm katër vjet karrierë shindriti më shumë se artistë që jetojnë një jetë të tërë në skenë. Ai ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si e mendojmë kitarën, zhanrin rok, skenën, lirinë e interpretimit.
Sot, çdo akord i tij, çdo improvizim, çdo tingull i çmendur elektrike është kujtesë e një të vërtete të thjeshtë: arti i madh nuk ka moshë, nuk ka kufij, nuk ka vdekje.
Xhimi Hendriks nuk iku. Ai thjesht vazhdon të bjerë kitarën, diku përtej reve, me të njëjtën zjarrësi që ndezi botën.
