Last Updated on 11/12/2025 by Kesjana
Adnan Xholi u shpreh se Prokuroria e Posaçme ndodhet në këto momente në një fazë të rëndësishme konsolidimi ku implementimi i strategjive të institucionit lidhet drejtpërdrejtë me luftën pa komprosi të korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar. Ai e vuri theksin edhe te pavarësia e institucionit.
“Po aq e rëndësishme është mbrojtja dhe integriteti i pavarësisë së institucionit, mbrojtja e magjistratëve prokurorë nga sulmet e padrejta që i bëhen për shkak të detyrës ose gjatë detyrës. Ndaj gjej rastin të shpreh vlerësimet maksimale ndaj trupës së prokurorëve të SPAK, jo për arsye subjektive por për shkak të rezultateve që kanë arritur”, tha ai.
Xholi u shpreh se prokurorët do të kenë mbështetjen e tij pavarësisht votimit sot.
“Secili prej tyre është kandidat potencial për të drejtuar të atë strukturë, e thashë më lart jo për arsye subjektive, por për shkak të rezultateve që kanë arritur, të cilët falë angazhimit personal kanë arritur rezultate konkrete në luftën ndaj kriminalitetit. Gjej rastin të shpreh mbështetjen maksimale. Jam krenar që punoj me ta dhe do i mbështes në çdo situatë të aktivitetit të institucionit pavarësisht votimit sot. Punën e kemi me njëri-tjetrin dhe ata janë familja ime në sistemin e drejtësisë. Më tepër qëndroj me ta se me familjen biologjike”, tha Xholi.
