Keen Ruffalo po tërheq vëmendjen e publikut me rolin e Connor në serialin e ri “Sterling Point”. Djali i aktorit të njohur Mark Ruffalo ka nisur të ndërtojë rrugëtimin e tij në ekran, duke u përpjekur të krijojë një identitet artistik përtej mbiemrit të famshëm.
Keen Ruffalo është një nga emrat e rinj që po spikasin në serialin e ri të Amazon Prime Video, Sterling Point. Në teen drama-n e drejtuar nga Megan Park, ai interpreton Connor, vëllain binjak simpatik dhe karizmatik të protagonistes Annie, rol i cili luhet nga Ella Rubin.
Mbiemri i tij ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut, pasi Keen është djali i madh i aktorit të njohur amerikan Mark Ruffalo, i famshëm për rolin e Hulk në universin Marvel, si edhe për filma si 30 vjet në 1 sekondë. Nëna e tij është aktorja Sunrise Coigney.
Keen Ruffalo ka lindur më 19 qershor 2001 në Los Angeles, ndërsa është rritur në Callicoon, New York. Kontakti me botën e filmit ka qenë pjesë e jetës së tij që në moshë të vogël, duke qenë se është rritur në një familje të lidhur ngushtë me industrinë e argëtimit.
Përpara se ta kthente aktrimin në një profesion, Keen ndoqi studimet në Drexel University. Megjithatë, pandemia e COVID-19 duket se ndikoi në planet e tij dhe në atë periudhë ai vendosi të ndiqte më seriozisht rrugën e babait të tij.

Hapat e parë në ekran i hodhi pikërisht në disa projekte ku merrte pjesë Mark Ruffalo. Keen u shfaq fillimisht si figurant në filmin Begin Again në vitin 2013, ndërsa disa vite më vonë pati një paraqitje të shkurtër në Thor: Ragnarok, në vitin 2017.
Me kalimin e viteve, Keen ka nisur të krijojë një filmografi të tijën, duke marrë pjesë në produksione të ndryshme. Ai është shfaqur në serialin e HBO Task, ku interpretoi Tripp, si edhe në miniserialin e pavarur Hal & Harper, të drejtuar nga Cooper Raiff dhe të disponueshëm në Mubi.
Në karrierën e tij përfshihet gjithashtu filmi i pavarur Nimrods, një projekt i frymëzuar nga muzika e grupit Green Day.
Megjithatë, “Sterling Point” duket se po shënon një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij deri tani. Personazhi i Connor ka sjellë një tjetër dimension në historinë e serialit, ndërsa energjia dhe humori i Keen kanë tërhequr vëmendjen e shikuesve.
Në episodet e para, një pjesë e paraqitjeve të tij zhvillohen përmes telefonatave nga New York drejt Kanadasë, por kjo nuk e ka penguar aktorin e ri të krijojë një lidhje të fortë me publikun.
Pavarësisht se ka një nga mbiemrat më të njohur të Hollywood-it, Keen po përballet me të njëjtat sfida që shoqërojnë shumë aktorë të rinj. Në një intervistë për Entertainment Tonight, ai ka treguar edhe këshillën e marrë nga babai i tij.
Mark Ruffalo i ka bërë të qartë se aktrimi kërkon shumë durim, pasi mund të duhen një numër i madh audicionesh përpara se të vijë një rol i rëndësishëm. Sipas këshillës së të atit, duhet shumë kohë dhe përkushtim për të ndërtuar një karrierë në këtë industri.
Keen duket se po e ndjek pikërisht këtë rrugë, duke tentuar të krijojë një emër të tijin dhe të mos mbetet thjesht “djali i Mark Ruffalo”./MXH
