Autoritetet greke kanë zbardhur një shpërthim me eksploziv të ndodhur në tetor të vitit të kaluar në një diskotekë në Athinë, ku mbeti i lënduar një person dhe u shkaktuan dëme të shumta materiale. Në pranga për ngjarjen janë vënë dy vëllezër shqiptarë.
Të akuzuar për vepra të rënda penale, dy të pandehurit pranuan autorësinë e ngjarjes, ndërsa njëri prej tyre tha se ishte paguar për sulmin. Megjithatë ai refuzoi të përmendte personat që e kishin paguar, nga frika për jetën e tij.
Lidhur me shpërthimin, ai tregoi se ditën e 7 tetorit, mbërriti në vendngjarje me vëllain e tij duke përdorur një makinë të marrë hua, në pronësi të një gruaje.
Pasi doli prej automjetit, mori bombën që kishte në një çantë dhe e la përpara dyqanit. Kur u largua nga vendngjarja, shtypi një buton që kishte me vete dhe ndodhi shpërthimi i lëndës eksplozive.
Si 40-vjeçari ashtu edhe vëllai i tij 32-vjeçar janë akuzuar në të kaluarën, për disa vepra penale si vjedhje, sjellje të turpshme, grabitje, mashtrim, dëmtime të rrezikshme trupore, falsifikim, si dhe shkelje të ligjeve për drogën./K.M
