Last Updated on 29/09/2025 by adminfjala
Gazetari dhe aktivisti ukrainas për të drejtat e njeriut Maksym Butkevych është shpallur fitues i Çmimit prestigjioz Václav Havel për të Drejtat e Njeriut 2025, që ndahet çdo vit nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE). Ceremonia e ndarjes së çmimit u zhvillua në hapje të sesionit plenar të vjeshtës në Strasburg.
Butkevych është bashkëthemelues i Qendrës për të Drejtat e Njeriut Zmina dhe i Hromadske Radio. Një pacifist i njohur, ai u bë vullnetar në Forcat e Armatosura të Ukrainës pas nisjes së pushtimit rus në vitin 2022, ku shërbeu si komandant toge. Ai u kap nga trupat ruse dhe u dënua me 13 vjet burg, duke kaluar mbi dy vjet në kushte të rënda paraburgimi, deri në lirimin e tij në tetor 2024, në kuadër të një shkëmbimi të burgosurish. Historia e tij e ka kthyer në një simbol të qëndrueshmërisë dhe guximit përballë autoritarizmit.
Në fjalën e pranim-dorëzimit, Butkevych u shpreh se ky çmim është një “nder i madh” dhe një “ëndërr e paarritshme” gjatë kohës kur ishte në robëri. Ai ia dedikoi atë të burgosurve të luftës ukrainas, civilëve të ndaluar në mënyrë të paligjshme nga Rusia, si dhe gazetarëve të burgosur në regjime autoritare. “Ukraina mbron jo vetëm integritetin e saj territorial, por edhe vlerat themelore të lirisë, dinjitetit dhe respektit të ndërsjellë”, tha ai.
Dy kandidatët e tjerë finalë për çmimin e këtij viti ishin gazetarja gjeorgjiane Mzia Amaghlobeli dhe gazetari azerbajxhanas Ulvi Hasanli, të cilët aktualisht ndodhen në paraburgim në vendet e tyre. Diplomat u pranuan në emër të tyre nga avokati i znj. Amaghlobeli dhe bashkëshortja e z. Hasanli.
Presidenti i PACE-së, Theodoros Rousopoulos, theksoi në hapje të ceremonisë se fakti që të tre kandidatët ishin gazetarë nuk ishte rastësi: “Pa lirinë e shprehjes dhe një media të lirë, të pavarur e pluraliste, nuk mund të ketë demokraci të vërtetë”. Ai kujtoi se sipas Platformës së Sigurisë së Gazetarëve të Këshillit të Evropës, deri në mars 2025 ishin regjistruar 171 gazetarë në paraburgim në Evropë, përfshirë 98 në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, ndërsa të paktën 26 gazetarë ukrainas mbeten ende të ndaluar nga Rusia.
Çmimi Václav Havel përbëhet nga 60 mijë euro, një trofe dhe një diplomë, dhe jepet çdo vit nga PACE në partneritet me Bibliotekën Václav Havel dhe Fondacionin Charta 77. Prej krijimit të tij në vitin 2013, çmimi është ndarë për personalitete të shquara si María Corina Machado (2024), Osman Kavala (2023), Vladimir Kara-Murza (2022), Maria Kalesnikava (2021), Loujain Alhathloul (2020), si dhe laureatë të tjerë që kanë lënë gjurmë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut./Monada Mehmetaj, Strasburg
