Last Updated on 06/08/2026 by EL
Një zbulim i ri arkeologjik në shpellën Gran Dolina ka ndryshuar atë që shkencëtarët besonin për zakonet e Homo antecessor. Fosile të reja, të datuara rreth 850 mijë vjet më parë, tregojnë se kjo specie nuk praktikonte kanibalizëm vetëm ndaj fëmijëve dhe të rinjve, por edhe ndaj të rriturve. Rreth 30 vjet më parë, në sitin arkeologjik të Atapuercës në Spanjë, u identifikua për herë të parë Homo antecessor, një specie që jetoi midis 1.2 milionë dhe 770 mijë vjet më parë. Analizat e mëparshme kishin treguar se ai praktikonte kanibalizëm, por besohej se viktimat ishin kryesisht fëmijë, pasi ishin më të lehtë për t’u kapur.
Zbulimet më të fundit përfshijnë 24 fosile të reja që u përkisnin 13–15 individëve, të paktën gjashtë prej tyre të rritur. Në shumë prej kockave janë identifikuar prerje të qarta të shkaktuara gjatë copëtimit të trupave, duke konfirmuar se edhe të rriturit ishin viktima të kësaj praktike. Sipas arkeologes Palmira Saladié, prania e një numri më të madh mbetjesh të të rriturve me shenja prerjesh ndryshon interpretimin e mëparshëm dhe tregon se kanibalizmi nuk ishte i kufizuar vetëm te më të rinjtë. Megjithatë, arsyet e kësaj sjelljeje mbeten ende të paqarta. Studiuesit nuk mund të përcaktojnë nëse kanibalizmi kryhej për mbijetesë, si pjesë e ndonjë rituali apo për motive të tjera. Analizat e mëtejshme pritet të ndihmojnë në kuptimin e mënyrës se si trajtoheshin trupat sipas moshës, organizimit të grupeve njerëzore dhe rolit që kanibalizmi mund të ketë pasur në shoqërinë e Homo antecessor./et
