Last Updated on 27/04/2026 by Monika
Hetuesit po shqyrtojnë ndjenjat anti-Trump si motiv të mundshëm për autorin e dyshuar që hapi zjarr brenda hotelit ku Trump mbante darkën tradicionale me zyrtarët më të lartë të administratës së tij dhe gazetarët. Vlerësimet vijnë pas gjetjes së një letre që i dyshuari Cole Tomas Allen kishte lënë në dhomën e hotelit.
Në shënimin e zbardhur nga New York Post, autori i kërkonte falje familjarëve, kolegëve dhe studentëve të tij për atë që do të bënte dhe thoshte se kjo ishte mundësia më e mirë që mund të kishte ndonjëherë për të arritur qëllimet.
Për sa i përket arsyes, 31-vjeçari shkruante në letër: “Unë jam shtetas i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo që bëjnë përfaqësuesit e mi reflektohet tek unë. Zyrtarët e administratës (pa përfshirë z. Patel): ata janë objektiva, të prioritizuar nga niveli më i lartë tek ai më i ulëti. Shërbimi Sekret: ata janë shënjestra vetëm nëse është e nevojshme.”
31-vjeçari del sot përpara gjykatës federale, ku do të përballet me akuzat për sulm ndaj një oficeri federal, qitje me armë zjarri dhe përpjekje për të vrarë një oficer federal.
Por prokurori i përgjithshëm Todd Blanche ka thënë se, në varësi të hetimit, i dyshuari mund të akuzohet edhe për tentativë vrasje ndaj presidentit amerikan.
Vetë Trump ka thënë në intervista pas ngjarjes se nuk ishte fare i shqetësuar dhe e ka quajtur autorin “një djalë shumë të sëmurë”.
“Nuk isha i shqetësuar. E kuptoj jetën. Jetojmë në një botë të çmendur”.
Presidenti gjithashtu ka shfrytëzuar vëmendjen e sjellë nga incidenti për të promovuar sallën e tij të vallëzimit në Shtëpinë e Bardhë si një vend më të sigurt për ngjarje të tilla./mxh
