Një zbulim i jashtëzakonshëm paleontologjik në Kinë ka sjellë në dritë fosilin e një dinosauri të pazakontë me katër krahë, i cili i përdorte ato për të rrëshqitur në ajër gjatë gjuetisë. I quajtur Jian changmaensis, ky grabitqar i lashtë jetoi rreth 120 milionë vjet më parë dhe ishte një i afërm i dinosaurit të famshëm Velociraptor.
Zbulimi u bë në Pellgun e Changma-s, në veriperëndim të Kinës, një nga zonat më të pasura me fosile në vend. Prej vitesh, studiuesit kanë gjetur aty qindra mbetje fosilesh të zogjve primitivë dhe dinosaurëve me pupla. Shumë prej këtyre mbetjeve ngjanin me topthat e ushqimit të patretur që lënë pas sot grabitqarët si bufët, por deri tani nuk dihej se cili ishte autori i tyre. Sipas një studimi të publikuar në revistën Annals of Carnegie Museum, “fajtori” ka shumë gjasa të ketë qenë pikërisht Jian changmaensis.
Ky dinosaur i vogël grabitqar bënte pjesë në grupin e Microraptorëve, dinosaurë të afërt me Velociraptorin dhe me paraardhësit e parë të zogjve. Emri i tij vjen nga zona ku u zbulua dhe nga “Jiān”, një zog i mitologjisë kineze që përshkruhet me vetëm një sy dhe një krah. Ndryshe nga shumica e të afërmve të tij, Jian changmaensis ishte relativisht i madh, me hapje krahësh rreth 1.2 metra, afërsisht sa një kukuvajkë e madhe.
Shkencëtarët arritën ta rindërtonin pamjen e tij falë disa fosileve të ruajtura në mënyrë të jashtëzakonshme në tre dimensione, përfshirë pjesë të shpatullës, artikulacione të krahëve dhe një pjesë të këmbës. Kjo është e rrallë, pasi shumica e fosileve të ngjashme në rajon janë shtypur dhe deformuar gjatë procesit të fosilizimit. Karakteristika më e veçantë e këtij dinosauri ishte prania e puplave jo vetëm në gjymtyrët e përparme, por edhe në ato të pasme, duke krijuar efektin e katër krahëve.
Megjithatë, studiuesit besojnë se ai nuk fluturonte si zogjtë modernë. Më shumë gjasa, ai përdorte këto struktura për të rrëshqitur nga një pemë në tjetrën ose për t’u hedhur papritur mbi prenë e tij, në një mënyrë të ngjashme me ketrat fluturues të ditëve të sotme. Megjithëse nuk ka prova të drejtpërdrejta që Jian changmaensis ishte përgjegjës për të gjitha mbetjet fosile të gjetura në zonë, fakti që ishte grabitqari më i madh i identifikuar deri tani në Pellgun e Changma-s e bën atë kandidatin kryesor. Ky zbulim ka rëndësi të veçantë edhe për studimin e evolucionit të fluturimit.
Për herë të parë është identifikuar një microraptor jashtë Kinës verilindore, duke treguar se këta dinosaurë ishin shumë më të përhapur sesa mendohej më parë. Studimi i Jian changmaensis mund të ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më mirë hapat evolucionarë që çuan në lindjen e fluturimit modern te zogjtë.
